Nga sezoni 2022-2023 nuk lejohen uniformat jeshile

Duke nisur nga sezoni 2022-2023, në Seria A italiane nuk do të përdoret uniforma me ngjyrën jeshile. Sezoni që pritet të nisë në Shtator do të jetë i fundit, kjo pasi klubet tashmë kanë nxjerrë kitin e uniformave dhe nuk mund të bëjnë ndryshime. Ky ndryshim diktohet kryesisht nga kompanitë televizive, të cilët shqetësohen se kompletet e gjelbërta janë shumë të ngjashme me ngjyrën e fushës dhe mund të çojnë në përzierjen e lojtarëve në sfond.

Është vënë re shpesh se fanella jeshile në ekran krijon probleme për shikuesit. Më e prekura nga ky vendim është skuadra e Sassuolos, e cila si uniformë të parë ka pikërisht jeshilen, e përzier me vija të zeza. Por edhe Atalanta me Lazion në dy sezonet e fundit e kanë përdorur gjerësisht jeshilen në transferta.

Ndryshimet e rregullave në komplete gjithashtu ndikojnë në çorape dhe mbathje të shkurtra, që gjithashtu nuk mund të jenë jeshile. Gjithsesi, rregulli i ri nuk përjashton totalisht jeshilen, por ato mund të jenë vetëm me vija ose numrat në bluza.

Klan News