Rexhep Meidani: Sfida ime në PS (Video Arkiv) – TV KLAN

Rexhep Meidani: Sfida ime në PS (Video Arkiv)

Ish-Presidenti i Shqipërisë Rexhep Meidani ishte një prej kandidatëve në garën për kreun e Partisë Socialiste në vitin 2003. Një prej kandidatëve përballë tij ishte edhe Kryeministri vendit Fatos Nano.

Për të folur pikërisht për kandidmin e tij për kreun e PS, Meidani ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, realizuar më 13 Nëntor të vitit 2003. Gjatë emisionit ai deklaroi se duke marrë parasysh situatën e vështirë në PS, kandidon për të dhënë një kontribut në këtë parti.

“Vendimi për të kandiduar ishte më shumë një dëshirë e shprehur gjatë kësaj periudhe 1-vjeçare, ndoshta edhe me pjesëmarrjen time në median e shkruar në mënyrë të veçantë. Ishte një trysni që ushtrohej nga anëtarë të Partisë Socialiste deri në anëtarë të lartë të forumit të kësaj partie. Natyrisht unë po studioj të gjitha zhvillimet dhe për të marrë një vendim nuk është e lehtë pas kryerjes së detyrës në institucionet e shtetit. Por vendosa dhe pjesë e këtij vendimi ka qenë edhe emisioni juaj. Kandidimi im është për të dhënë një kontribut pozitiv në PS dhe nga përvoja e mëparshme brenda kësaj partie them që nga mënyra e trajtimit të njerëzve kam mundësinë t’i afroj përsëri sepse unë iu besoj njerëzve dhe i respektoj.

Është një situatë e vështirë për PS veçanërisht pas zgjedhjeve vendore ku pamë një rënie të theksuar të elektoratit. Nuk kam hyrë në këtë garë për të sfiduar ndonjërin, as për të qenë i vetëm në garë. Në gjykimin tim intelektual dhe politik them që në partitë shqiptare ekziston mendësia e kryetarit të përjetshëm, e kryetarit që e ka partinë për vete dhe jo e partisë që do një kryetar për ta drejtuar për një kohë të caktuar. Një garë serioze edhe nëse nuk jep rezultatet e plota, jep emancipim në konkurrencën normale. Nëse ka shformime në konkurrencë, emancipimi vonon. Duke analizuar situatën gjatë këtyre viteve, mendoj që disa norma duhet të ndryshojnë, veçanërisht në partitë që arrijnë në qeverisje. Aktualisht ekziston mendimi ndryshe, ekzistojnë grupimet, por ndërkohë aplikohet teknologjia “ose me mua ose kundër meje”. Ndërkohë nuk duhet të aplikohet teknologjia e komandës së një force, por e ekuilibrit të forcave. Ajo që kam parë në këtë parti edhe gjatë kryerjes së detyrës së Presidentit, ka qenë fakti që kur PS arrinte të ekuilibronte forcat brenda partisë dhe arrinte t’i përfaqësonte, qeverisja ishte e qetë. Kur prishej ekuilibri nuk kishte efektivitet”, tha Meidani.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së Televizionit Klan për vitet 1998-2012

Kategori
Lajme nga EmisionetOpinion - DosierTe funditTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*





Emisione