Rey Manaj udhëheq Barcelonën B drejt ligës së 2-të të futbollit në Spanjë.

Sulmuesi i kombëtares shqiptare ishte thjesht fantastik në sfidën gjysmëfinale të play-off përballë Badajoz, duke shënuar dy gola me mjaft vlerë.

23-vjeçari shënoi një gol të bukur me kokë duke barazuar shifrat në 1-1 për ta çuar ndeshjen në shtesë.

30 minutat e shtesës nuk sollën asgjë, ndërsa nga pika e bardhë e penalltive skuadra katalanase arriti të fitonte me rezultatin 5-3, me Manajn që shënoi një nga penalltitë deçizive, pikërisht atë të 4-ën.

Ky ishte goli i dytë dhe i tretë për lushnjarin me ekipin e dytë të Barcelonës, me të cilët u bashkua gjatë merkatos së Janarit nga Albacete.

Paraqitje që duhet t’i ketë pëlqyer edhe stafit teknik të Barcelonës A, duke qenë një kandidat potencial për të marrë minuta me fanellën e rëndë.

Ngjitja në La Liga 2 sjell te klubi i Barcelonës përfitime të mëdha, si financiare ashtu edhe sportive.

Nëse arrijnë të promovohen, ata do të marrin rreth 10 milionë Euro, ndërkohë që garimi në një kampionat profesionist do të sillte rritje dhe formim më të mirë të talenteve të saj, mes të cilëve gjendet edhe sulmuesi kuqezi, Rey Manaj.

Klan Plus