Vila madhështore e stilistit, tashmë hoteli më i famshëm në Miami

Shtëpia e dikurshme e stilistit, Gianni Versace, tashmë është një hotel, i cili ka filluar të tërheqë një numër të konsiderueshëm vizitorësh, të cilët në shumicën e rasteve, mendojnë se është një muze, apo shtëpi private.

Një hotel, ku mysafirët mund të flenë në dhomën e gjumit të Gianni Versaces ose të motrës së tij Donatella, apo edhe në suitën ku qëndronte Madonna në vitet ’90. Vila madhështore barok ka intriguar njerëzit që nga vdekja e Versaces, kur ai u qëllua për vdekje në shkallët e rezidencës së tij në 1997.

Kudo në rezidencë mund të shohësh ikona të mitologjisë greke, mes tyre Meduza që ka një vend të rëndësishëm në logon e markës Versace. Meduza gjendet edhe në pishinën e vilës, 54 metra të gjatë, e bërë nga më shumë se një milion pllaka mozaiku, mijëra prej tyre prej ari 24 karat. Ky mozaik u punua në Kalabri dhe më pas u dërgua në Miami, ku u rindërtua me përpikëri.

Versace e bleu këtë rezidencë në vitin 1992, pasi u mahnit nga arkitektura spanjolle e shtëpisë së madhe. Rreth 32 milionë Dollarë kushtuan rinovimet që zgjatën për tre vjet dhe e shndërruan pronën në një vend të përshtatshëm për një “mbret të stilit”. Ashtu si me shumë ndërtesa të famshme, “Casa Casuarina” ka pjesën e saj të misterit. Thuhet se rezidenca ka dyer të fshehta dhe rrugëkalime në të gjithë pallatin.

Klan News