Në një konferencë për mediat, presidenti i vendit Ilir Meta ka vënë theksin tek rezoluta e Parlamentit Evropian për Shqipërinë dhe ka evidentuar shqetësimet që ngre kjo rezolutë.

Meta shprehet se në këtë rezolutë janë diagostikuar të gjitha problemet që deri tani e kanë bërë të pamundur përparimin evropian të vendit tonë dhe çeljen e negociatave.

Meta bën thirrje që të ketë një reflektim urgjent dhe përmbajtja e këtyre rezolutave të mos i fshihet publikut.

Ilir Meta: I kushtova një vëmendje të posacme kësaj rezolute sepse mendoj që janë diagostikuar të gjitha problemet që deri tani e kanë bërë të pamundur përparimin evropian të vendit tonë dhe çeljen e negociatave. Votimi në parim i kësaj rezolute, tregon një qasje strategjike të Parlamentit Evropian për të përkrahur politikën e zgjerimit veçanërisht në kushtet edhe të agresionit së Rusisë kundër Ukrainës, por natyrisht që i ka evidentuar të gjitha problemet kritike të vendit tonë, të demokracisë, të lirisë së medias, të problemeve që kanë të bëjnë me vetë zbatimin e vetingut dhe të reformës në drejtësi, të problemeve që kanë të bëjnë me korrupsionin e jashtëzakonshëm. Fakti që përmendet regresi i Shqipërisë me 26 vende nga viti 2021 në vitin 2016, pra në 5 vjet përsa i takon indeksionit të korrupsionit është një fakt shumë domethënës dhe i pandodhur më parë. Fakti që evidentohet regresi përsa i takon indeksionit të lirisë së medias, është përsëri një tregues tjetër, ndaj është e domosdoshme që të gjithë aktorët që e kanë prioritet çështjen e integrimit evropian, të fokusohen seriozisht tek përmbajtja e kësaj rezolute. Unë mbështes fuqimisht çeljen e negociatave për vendit tonë, pavarësisht nga kjo prapambetje skandaloze në të gjitha drejtimet që ne kemi për arsye se në çdo rast populli shqiptar meriton të hidhet një hap përpara, por këto probleme përsëri do të mbeten dhe të kushtëzojnë ecurinë e mëtejshme të procesit të negociatave dhe të gjithë procesit të anëtarësimit. Këto janë pengesa të pakalueshme për çdo vend që synon të anëtarësohet në BE. E domosdoshme që të ketë një reflektim urgjent dhe përmbajtja e këtyre rezolutave të mos i fshihet publikut as në mënyrë të qëllimshme dhe as në mënyrë të papërgjegjshme për arsye të kushtimit të vëmendjes të çështjeve periferike. Të mos harrojmë dallimin e madh që bëhet mes 2 vendeve. Për RMV, Parlamenti Evropian shprehet se RMV është vendi që ka bërë përparimin më cilësor të tranzicionit demokratik në Ballkanin Perëndimor./tvklan.al