Fuqizoi imunitetin e vullnetarëve në fazën e parë të testimit

Firma farmaceutike amerikane Moderna, e para që nisi testet tek njerëzit për vaksinën kundër Covid-19 njoftoi përmbylljen me sukses të fazës së parë të testimit.

Të 45 vullnetarët patën reagim të sistemit imunitar, çka tregon se vaksina mund t’a mbrojë organizmin e njeriut nga infektimi me koronavirus. Asnjëri nuk pati efekte anësore shqetësuese, por më shumë se gjysma e tyre shfaqën shenja të lehta, si lodhje, dhimbje koke, ethe, dhimbje muskujsh dhe dhimbje në vendin e injektimit. Shenja të tilla u shfaqën kryesisht tek ata vullnetarë, të cilëve ju injektuan doza të larta. Vetëm një numër i vogël që morën doza shumë të larta të vaksinës shfaqën shenja më të theksuara si të vjella, ethe e dhimbje koke.

Kjo vaksinë përdor acidin ribonukleik. Ky përbërës kimik dikton në trup prodhimin e proteinave që imitojnë cipën e jashtme të koronavirusit, duke nxitur sistemin imunitar të jetë i përgatitur të neutralizojë virusin në momentin kur prek organizmin.

Vaksina duhet të kalojë edhe në 2 faza të tjera, për t’u konsideruar e sigurt për përdorim. Testimet nisën më 16 mars, ndërsa ekspertët thonë se duhen maksimumi 15 muaj për kryerjen e provave të plota. Qeveria amerikane ka akorduar 500 milionë dollarë për këtë kompani që provat të përshpejtohen për t’a nxjerrë për përdorim vaksinën në fillim të vitit të ardhshëm. Dhjetëra vaksina në gjithë botën janë aktualisht në fazën e testimit tek njerëzit.

Tv Klan