“Problem kurrikulat dhe mësuesit e dobët. Situata ka degraduar pasi qeveria nuk e ka prioritet arsimin”

Rezultatet e ‘Pisës’ janë këmbanë alarmi për cilësinë e arsimit 9 –vjeçarë për vendin tonë. Sipas ekspertëve faktor për këtë rënie drastike në rezultatet e të nxënësve 15-vjeçarë janë komplekse, duke nisur nga programet e teksteve e deri tek formimi i mësuesve.

“Ne po na futen në sistem mësues me aftësi të diskutueshme. Në fakultetin e Mësuesisë gjatë viteve të fundit kanë shkuar të gjithë nxënësit me mesataren më të ulët dhe është e çuditshme se ne kemi bërë sondazhe dhe nuk gjejmë asnjë mësues që të çojë fëmijët  e tij në fakultetet e Mësuesisë. Mësuesia është bërë një profesion i padëshiruar për të rinjtë dhe arsyeja është sepse është i papaguar, i pavlerësuar nga qeveria.”

“Ka një të dhënë shumë interesante në testin ‘Pisa’ ku tregohet që nxënësit shqiptarë kur janë pyetur a ndihmoheni nga mësuesit, ata kanë shprehur se ndihmohen më shumë në raport se me çdo vend tjetër. Edhe në vendet e zhvilluara mësuesi nuk tregon kaq interes ndaj nxënësit sa tregon në Shqipëri. Kjo është një e dhënë shqetësuese sepse do të thotë se mësuesi harxhon kohë me nxënësin, mirëpo pregatitja e tij është aq e dobët dhe aftësia e tij pedagogjike është aq e ulët, saqë koha nuk përkthehet ne eficencë.”

Në vlerësim e“PISA 2022” u përfshinë  rreth 2600 nxënës nga 274 shkolla publike të vendit. Rezultatet dëshmuan përkeqësim të aftësive të nxënësve për lëndën e matematikës, leximit dhe shkencë. Sipas eskpertit të arsimit, Migen Qiraxhi, duhet një ndërhyrje emergjente.

“Në letërsi për një tekst mesatar, nxënësit e lexojnë, por nuk marrin dot kuptimin. Në masën 64% ata që do të jenë në administratë nesër në 20 vitet e ardhshme në vendin tonë do ta lexojnë ligjin dhe nuk do ja japin dot shërbimin qytetarit sepse e lexojnë, por nuk e kuptojnë.”

Kryetari i sindikatës së arsimit, Nevrus Kaptelli tha se situata në arsim pritet të përkeqësohet nëse arsimi nuk do jetë prioriteti kryesor i qeverisë.

“Arsimi që të jemi realist nuk ka qenë prioritet i qeverisë gjatë këtyre viteve. Patën kërkuar që të shkohej drejt një buxheti, drejt 5% të GDP për arsimin dhe buxheti për arsimin është aq saç ishte ose ndoshta edhe më i ulët se sa 3%.”

Në lidhje me rezultatet e PISËS  kryeministri Edi Rama ka thënë se qeveria dhe minsitria e Arisimit do të marri një plan masash, por ende nuk është detajuar asgjë konkrete se çfarë hapash do të ndërrmerren.

Klan News