Reja: Lejuam gola që nuk mund t’i pësosh

Shqipëria barazoi 2 – 2 në shtëpi me Andorrën, përfaqësuese që renditet 71 vende më poshtë në klasifikimin e FIFA-s.

Me një lojë zhgënjyese me probleme në mbrojtje dhe sulmin që shpërdoroi raste shënimim Kombëtarja i shpëtoi humbjes që do të ishte një katastrofë.

Golat e Balajt dhe Manajt shmangën disfatën, ndërsa gabimet në parapavijë zbehën paraqitjet e mira të takimeve të fundit. Ajo që u tregua në fushë nuk e kënaqi edhe trajnerin Edy Reja.

“Po mendoj ndoshta që tani për Francën, por unë e thashë dhe më parë që do të ishte një ndeshje e vështirë. Duhej më shumë shpirt gare, diçka që mungonte, pasi ishim të ngadaltë dhe lejuam 2 gola që një ekip i denjë nuk mund t’i pësojë”.

Edhe futbollistët e pranuan që ishte një paraqitje zhgënjyese.

Keidi Bare: Ishim shumë të përgjumur gjatë ndeshjes dhe nuk e di si i pësuam ato gola që duhet t’i shmangim.

Adrian Ismajli: Për fat e barazuam rezultatin, tentuam por nuk erdhi goli i tretë.

Etrit Berisha: Dhe të gjitha këto erdhën për shkak të nënvlerësimit të kundërshtarit dhe gjithë ato gabime që bëmë ishin të pafalshme.

Lorenc Trashi: Mund ta quaj një nga ndeshjet më të dobëta që ka zhvilluar Kombëtarja deri më tani.

Shqipëria i lejoi gol një ekipi që nuk shënonte në një ndeshje zyrtare në transfertë prej 9 vitesh. Një dështim në një ndeshje ku pritej një fitore dhe rekordi i pikëve në fushatat kualifikuese.

Tv Klan