Riaktivizohet sërish zjarri në pyllin me pisha në Kraps të Fierit. Flakët, të ndihmuara edhe nga era po përhapen me shpejtësi duke ju afruar edhe banesave. Banorët deklarojnë se situata mbetet kritike pasi janë djegur 3 shtëpi dhe dhjetra hektarë me pisha dhe ullinj.

“Ja e shihni dhe vetë, po digjemi. Zjarri erdhi tek shtëpitë tona. Ne po mundohemi, kemi ndezur pompat nga të 4 anët.”

“Populli e fiku zjarrin. Zjarrikësit tani erdhën. Batra e zjarrit filloi që në orës 11 dhe asnjë zjarrfikëse. Një kuzhinë u dogj komplet, shtëpia u dogj. Ne me mjete rethanore nuk mundëm që ta fiknim zjarrin. Është e vështirë të vish këtu në këtë zonë.”

“2-3 shtëpia po digjen. Flaka nuk shuhet me dorë, do njëfarë mjeti nga shteti. Era e ndihmon zjarrin. I lutemi Zotit që të mos fryejë erë“, shprehen banorët e shqetësuar nga situata.

Zjarrfikësit dhe banorët po përpiqen të lokalizojnë flakët, por sipas tyre ndërhyrja nga toka po bëhet e pamundur. Ata vlerësojnë se shmangia e rrezikut për banorët dhe fshatin është ndërhyrja e helikopterit për shuarjen e vatrave në terrenin e vështirë.

Zjarrfikësit e Fierit, të ndihmuar edhe nga kolegët e qyteteve pranë, këtë të martë u përballen me 4 vatra zjarri aktive në disa fshatra të cilat dyshohet se kanë qenë të qëllimshme.

Klan News