Në konferencën e përbashkët me homologen daneze, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë të sotmen “një ditë mjaft të frytshme”. Sipas Ramës, të gjithë udhëheqësit që u bënë bashkë në Tiranë janë të vendosur për të “mbajtur bashkë vlerat e parimet e shoqërive tona”.
“Pres me padurim të takohemi në Kopenhagë”- i tha ai kryeministres së Danimarkës Mette Frederiksen.
Ndërkohë kjo e fundit, me përshtypjet më të mira për samitin në Shqipëri, tha se prioritet i kontinentit është siguria. Frederiksen theksoi se Rusia përbën kërcënim për demokracinë e të gjitha shteteve dhe se riarmatimi i Europës është një domosdoshmëri.
“Europa po përballet me një sërë sfidash dhe na duhet ky format kur kemi shtete anëtare ose jo që ulen në tryezë dhe diskutojmë çështje të rëndësishme. Jemi të gatshëm të marrim stafetën dhe siguria do jetë përparësi pasi jetojmë në një botë të pasigurt. Rusia është kërcënim i madh jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë ne. Ata po përpiqen të shkatërrojnë demokracitë tona, riarmatimi i Evropës do jetë prioritet. Ne jemi një treg vërtet i madh prandaj konkurrenca e kompanive toan është i rëndësishëm, duhet t’i japim fund gazit e naftës nga Rusia, duhet të jemi konkurrentë që Europa të ketë energji me kosto të ulët. Migracioni pothuajse ka qenë i pakontrolluar dhe pasojat tashmë janë të panumërta. Unë them që ju keni bërë një punë shumë të mirë, samiti ka shkuar shumë mirë”, deklaroi ajo.
/tvklan.al