Policia: U largua sipas procedurave ligjore

Ky është Harun Çelik, një 42-vjeçar turk i cili në korrik të vitit të kaluar u arrestua në dalje të aeroportit të Rinasit me një pasaportë kanadeze të falsifikuar. Pasi vuajti për 5 muaj e gjysmë dënimin në burgjet shqiptare për falsifikim dokumentesh ai u lirua në 1 janar.

Por qëndrimi i tij në Shqipëri, jashtë qelisë nuk zgjati pasi menjëherë është riatdhesuar. Pas daljes nga burgu 302 në rrugën Mine Peza në Tiranë ai është shoqëruar për në zyrat e emigracionit ku janë plotësuar dokumentet e riatdhesimit.

Siç duket edhe në këto pamje, i shoqëruar me forca të policisë ai është përcjellë deri në aeroportin e Rinasit. Miq të shumtë të tij kanë reaguar në rrjetet sociale duke e quajtur kete vendim te paligjshëm.

Sipas tyre ai përndiqet në vendin e tij si mbështetës i imamit Fejtuall Gylen, një prej armiqve të presidentit Erdogan. Një reagim për çështjen bëri në rrjetet sociale edhe Partia Demokratike që kërkoi sqarime për rastin. 

 “Heshtja dhe zgjedhja e datës 1 janar për këtë veprim, na detyrojnë të kërkojmë transparencë të menjëhershme për çfarë po ndodh, dhe përgjigje nëse veprimet e autoriteteve janë në përputhje me ligjet në fuqi, konventat ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut? Është prioritare për çdo vend demokratik, veçanërisht në procesin e integrimit europian, të respektoje këto parime, të drejta e detyrime. Shkelja e tyre është kthyer në rregull për qeverinë e korruptuar dhe të inkriminuar të Edi Ramës.

Tv Klan kërkoi një reagim zyrtar nga policia e shtetit për çështjen, por zyra e shtypit tha se janë ndjekur të gjitha procedurat e përcaktuara në ligjin për të huajt.

 “Ky shtetas ishte i dënuar dhe në 1 janar doli nga burgu. Ky shtetas është kapur me dokumente false nga Policia Kufitare në dalje në Rinas dhe për këtë u dënua. Në bazë të ligjit për të huajt, janë bërë proceduarat ligjore për largimin nga Shqipëria”.

42-vjeçari Harun Çelik është mësues me profesion. Nuk ka ende një sqarim zyrtar nëse ai kishte kërkuar azil politik në vendin tonë dhe nëse u dërgua jashtë vullnetit të tij sërish në Turqi.

Tv Klan