Franca dhe Belgjika kanë riatdhesuar në Shqipëri 32 shqiptarë që kishin kërkuar azil në këto dy shtete. Ata mbërritën në aeroportin e Rinasit përmes një fluturimi të përbashkët mes Francës dhe Belgjikës, në bashkëpunim edhe me Policinë Kufitare Shqiptare.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit apelojnë të gjithë qytetarët që të respektojnë rregullat e lëvizjes dhe të qëndrimit në vendet e Schengen, pasi kërkesat për të fituar azil në vendet e Bashkimit Europian do t’ju refuzohen.

“Të gjithë qytetarët që duan të punësohen në BE duhet të ndjekin rrugën ligjore dhe të mos bien pre e mashtrimeve me dokumenta të falsifikuara apo me tendencën për të kërkuar azil, pasi Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta dhe mundësia për të fituar azil është zero”, apelon Policia e Shtetit.

Ndërkohë, në pikat kufitare shqiptare janë forcuar masat në kontrollin e dokumentacionit dhe janë shtuar patrullimet në kufirin e gjelbër. Në kufirin me Greqinë është duke u zhvilluar operacioni i përbashkët me FRONTEX. /tvklan.al