“Topi i Artë” i vitit 2013 duket se është një nga pengjet e mëdha në karrierë për Franck Ribery. Ish-sulmuesi francez, është rikthyer te flasë për një nga sezonet më të mira në karrierë.
Në vitin 2013, Ribery fitoi Bundesligën dhe Ligën e Kampioneve me Bayern Munich, ndërsa ishte vendimtar në sukseset e skuadrës së tij, me 11 gola dhe 23 asistime.
Megjithatë në atë vit “Topin e Artë” e fitoi Cristiano Ronaldo, ndonëse Real Madrid atë vit nuk mori as kampionatin dhe as Champions League. Në atë vit, portugezi shënoi 55 gola dhe 13 asiste në 55 ndeshje, duke u vlerësuar më pas me trofeun më të rëndësishëm personal.
Në intervistën e dhënë për “L’Equipe”, Ribery e quajti si padrejtësi të madhe atë në vitin 2013, ndërsa theksoi se Messi dhe Ronaldo nuk ishin më të mirë.
“Ishte viti i shkëlqyer. Nuk mund të bëja më mirë se aq. ‘Topi i Artë’ i atij viti do të mbetet përgjithmonë një padrejtësi. Unë jam ende në kërkim të shpjegimit. Nuk do ta kuptoj kurrë pse afati i votimit u zgjat më shumë se dy javë. Messi dhe Cristiano Ronaldo më kanë treguar gjithmonë respekt. Me gjithë përulësinë, ata nuk ishin më të mirë se unë në 2013”, deklaroi Ribery.
/tvklan.al