Australiani i Mclaren triumfon në Monza, aksidenti i frikshëm mes rivaleve Hamilton-Verstappen
Daniel Ricciardo është fituesi i Çmimit të Madh të Italisë. Në garën e 14 të Formula 1, piloti australian ishte më i miri në pistën e Monzës dhe riktheu Mclarenin sërish drejt suksesit në një garë që do të kujtohet për incidentin e frikshëm që pati për protagonistë Lewis Hamiltonin dhe Max Verstappen.
Në vend të dytë sërish një pilot i Mclaren-it, Lando Norris, ndërsa në podium u ngjit edhe Valtteri Bottas. Ferrari i Charles Leclerc doli në vend të katërt dhe Serxhio Perez e mbylli garën i pesti.
Kjo garë do të mbahet mend për aksidentin në xhiron e 26-të. Dy rivalët për titullin kampion të Formula 1, Lewis Hamilton dhe Max Verstappen përplasen dhe dalën nga gara.
Në kthesën e parë në pistën e Monzës të dy po garonin për pozicion, pasi britaniku doli nga pit-stopi. Hamiltoni nuk i la hapësirë holandezit, që nuk e uli shpejtësinë dhe pasi hipi mbi bordurën e pistës, fluturoi mbi makinën Mercedes.
Gomat e pasme ishin pak centimetra mbi kokën e Hamiltonit, që shpëtoi vetëm falë pajisjes mbrojtëse “Halo”. Të dy pilotët më pas akuzuan njëri-tjetrin për drejtim të gabuar të mjetit.
Hamilton tha se rivali e dinte se ky aksident do ndodhte e prapë vazhdoi, ndërsa piloti i Red Bullit u përgjigj se nuk kishte ku të shkonte dhe se britaniku nuk i la hapësirë në kthesë.
Klan News