Deputetët gjermanë po shqyrtojnë një projekt-ligj të ri që synon reduktimin e ndotjes së mjedisit nga mbetjet e pajisjeve elektronike, si smartfonët, tabletat e kompjuterët. Mbetjet e këtyre pajisjeve renditen ndër ndotësit më të mëdhenj të rezervave ujore nëntokësore, pasi kur hidhen nëpër landfille lëshojnë lëndë helmuese vdekjeprurëse.

Grupimi i të gjelbërve ka paraqitur në parlamentin gjerman propozimin që çmimit të çdo smartfoni apo pajisjeve të tjera elektronike, t’i shtohet 25 euro. Këtë shumë përdoruesit do t’a marrin mbrapsht nëse pajisjet e tyre të vjetruara i dorëzojnë nëpër dyqanet e elektronikës.

Qëllimi i nismës është që këto pajisje të mos hidhen në koshin e mbeturinave, por të shtohet ritmet e riciklimit të tyre, pasi aktualisht vetëm 20% e këtyre mbetjeve riciklohen. Për më tepër, sipas ricikluesve në 1 tonë mbetje elektronike gjen 100 herë më shumë ar dhe argjend sesa në të njëjtën sasi të nxjerrë nga nëntoka.

Globi gjeneron çdo vit, 50 milionë tonë mbetje elektronike ose 62.5 miliardë dollarë, një shifër që tejkalon Prodhimin e brendshëm bruto të shumë vendeve.

Tv Klan