Ridvan Bode flet për shpalljen e kandidaturës së tij si kryeministër para zgjedhjeve të 2001-it

Ridvan Bode flet për shpalljen e kandidaturës së tij si kryeministër para zgjedhjeve të 2001-it

Autori: Blendi Fevziu

23:47 17/06/2001

Në vitin 2001 ishte hera e parë që një forcë politike përpara zgjedhjeve deklaronte figurën e saj për të drejtuar qeverinë në rast fitoreje në zgjedhjet e 24 Qershorit. Kjo figurë e deklaruar nga opozita ishte Ridvan Bode. I ftuar në emisionin “Opinion” realizuar me datë 17 Qershor të 2001, Bode foli lidhur me deklarimin e emrit të tij gjatë fushatës si kryeministër në rast fitoreje.

“Unë jam Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike prej 4 vitesh, gjatë gjithë kohës që PD ka qenë në opozitë. Po ashtu kam qenë ngarkuar nga organet drejtuese të saj për të negociuar mundësinë e një koalicioni elektoral dhe politik që u konkretizua më në fund. Kam qenë dhe mbetem i disponueshëm për të kontribuar në funksion të objektivave që ka Partia Demokratike dhe tashmë grupimi politik. Sidoqoftë deklarimi publik për kandidaturën time si një kryeministër i mundshëm pas zgjedhjeve të 24 Qershorit mendoj se do të ketë edhe disa procedura të tjera që kanë të bëjnë me organet drejtuese të forumeve politike. Por unë mbetem në dispozicion të çfarëdolloj kërkese dhe funksioni ku gjykohet se do të jem i dobishëm për të kontribuar. Tashmë jemi në fushatë elektorale, por pas fitores do të hapen procedurat për të negociuar mundësitë e kandidimit tim si kryeministër i ardhshëm. Mendoj se politika në Shqipëri ka fituar një pjekuri dhe ka hyrë në rrugën e normalitetit dhe ballafaqohet me opinionin me një program që është ambicioz. Kjo përbën një risi në politikën shqiptare dhe shpresoj të kthehet në një traditë. Programi ynë është ambicioz sepse synon funksionim ndryshe të realitetit të sotëm ekonomik dhe shoqëror në Shqipëri”, tha Bode. / tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

23:47 17/06/2001
Delta

UKT