Partia Socialiste dhe opozita rinisën ditën e sotme negociatat në përpjekje për të gjetur një kompromis për emrin e kreut të ri të shtetit. Gjatë takimit që u zhvillua në ambientet e Kryesisë së Kuvendit u ra dakord me dokumentin e propozuar nga Enkelejd Alibeaj. Në këtë mënyrë, deri në raundin e tretë do të jetë opozita ajo që do të propozojë kandidatë. Ndërkohë, Partia Socialiste do të mund të propozojë në raundin e katërt dhe të pestë nëse nuk arrihet konsensusi deri në raundin e tretë.

Të pranishëm në këtë takim ishin Taulant Balla, Elisa Spiropali dhe Damian Gjiknuri si përfaqësues të grupit parlamentar socialist; Enkelejd Alibeaj, Arbi Agalliu dhe Oriola Pampuri si përfaqësues të grupit parlamentar të PD-së; Fatmir Mediu dhe Agron Duka si përfaqësues i grupit parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe Mesila Doda si përfaqësuese e grupit parlamentar Demokraci dhe Integrim.

Kujtojmë se raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit u dogj pa asnjë kandidaturë ndërsa deri në raundin e dytë më 23 Maj, palët kanë afat për një emër konsensual.

Çfarë u diskutua në takim?

Alibeaj: Është legjitime që opozita të propozojë kandidatin për President

Enkelejd Alibeaj tha se opozita ka marrë pjesë në këtë proces për të mos krijuar alibi. Po ashtu ai u shpreh se opozita ka të drejtën legjitime që të propozojë kandidatin për President.

Sipas Alibeajt, opozita të propozojë 4 kandidatë, PS të zgjedhë 2 nga këto propozime. Më pas ai thotë të ngrihet një komision me 6 anëtarë, 3 nga opozita, 3 nga PS dhe të zgjedhin mes 2 propozimeve, kandidatin që do të çojnë për votim në parlament.

“Nuk është ndonjë habi e madhe, se sa fakti që përveç kritereve formale që Kushtetuta përmban, shtetas shqiptar, së paku 40-vjeç, legjislacioni përmban edhe një sërë kriteresh të tjera të shpërndara andej këndej që i referohen institucioneve të tjera që kanë ardhur si nevojë e deformimit që ka ndodhur në rrafshin institucional. Dekriminalizmi, dekomunitizimi, korrupsioni, integriteti moral. Këto janë kritere ligjore po e po, por që janë edhe morale.

Së dyti është ajo që i përket procesit. Bazuar në gjithë arsyetimin më sipër që thashë, e shkruar edhe në dokument, është legjitime, është e justifikuar, shkon drejt frymës së Kushtetutës, atë që indukton Kushtetuta, që opozita të ketë të drejtën e propozimit. Ta ketë të drejtën e propozimit sepse 3 raundet e para duhet shumicë e përforcuar. E drejta për të propozuar t’i përkasë opozitën. Për të qenë më korrektë, t’i përkasë asaj pjese të kuvendit, e cila plotëson numrin e mandateve që shkon 84 e më tej. Këtë kemi bërë ne. Madje kemi bërë edhe diçka më tepër siç në dokument është qartësisht e përcaktuar. Nuk i kemi qëndruar fiks dhe strikt të drejtës sonë për të propozuar në mënyrë ekskluzive. Për të qenë gjithmonë nën frymën e konsensusit, shërbimi që do duhet t’i bëjmë presidentit të Republikës është menduar që të mos jetë një propozim i vetëm që automatikisht do të shndërrohej në emërim, por një propozim i zgjeruar për të dhënë hapësirën e duhur, proporcionale, edhe pjesës tjetër për të qenë pjesë e këtij procesi. Propozojmë nga opozita 4 kandidatura, nga të cilat 2 të mund t’i përzgjedhë brenda kësaj 4-she nga ana jua dhe pastaj pjesa tjetër është e thjeshtë në kuptimin e arritjes së emrit final. Jo një proces përjashtues, një proces gjithëpërfshirës me kronologjinë të përcaktuar, ku në mënyrë proporcionale i jepet pozita, vendi, secilit ishull brenda parlamentit për të konverguar në një proces që sintetizon të gjitha shijet, qëndrimet politike brenda parlamentit”, tha Alibeaj.

Presidenti, Balla: PS e ka një listë me kandidatë, nuk do të propozojmë para opozitës

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha se në 3 raundet e para opozita ka të drejtën për të propozuar kandiatët. Ai u shpreh se PS-ja nuk do të propozojë kandidatë pa propozuar fillimisht opozita.

Balla shtoi se mazhoranca do ta bëjë këtë në raundin e 4 dhe të 5. Më tej, ai theksoi se socialistët e kanë gati një listë me kandidatura. Po ashtu, ai kërkoi se nëse opozita ka një kandidat që gëzon firmën e 20 deputetëve mund ta propozojë. Të vetmet propozime që nuk do të marrë parasysh mazhoranca, Balla tha se janë ato që do të vijnë nga “non gratat”.

“Të drejtën e propozimit e ka pasur çdo palë. Shembulli që solli zoti Mediu që për presidentin që u zgjodh në vitin 2002 e propozoi Bashkimi Liberal Demokrat. Në këtë aspekt mendoj tek ai dokumenti, të gjitha palët kanë të drejtë të propozojnë. Të hënën në orën 18:00 kemi raundin e dytë. Që presidenti të zgjidhet duhet të gëzojë firmën e 20 deputetëve që të kandidojë. I keni ju firmat? Sepse e tillë është procedura kushtetuese. Silleni kandidatin. Nëse do ishte kandidat unik, opozita mund të sjellë 3 kandidatë, natyrshëm, por kemi kushte që kandidatë që vijnë nga katrani me bojë nuk pranojmë. Për të tjerë nuk ka problem. Për “non gratat” e kisha fjalën. Mendoj se kështu respektojmë dhe jemi të barabartë. Dy raunde i keni ju. Raundi i 4 dhe i 5, ne nuk do të propozojmë kandidatë pa propozuar ju. E lexuat me shumë kujdes frymën e Kushtetutës. Shumica e cilësuar ju jep të drejtë ju që të propozoni. Natyrshëm, PS nuk ka një proces që nuk e përgatit në kohë. E përgatit me muaj. Kemi 2 muaj që jemi përgatitur për këtë proces. Kemi bërë seanca brenda nesh, kemi marrë propozime. Kemi bërë me dy kolegët që jemi këtu shumë konsultime dhe kemi gati një short list tonën. Në 3 raundet e para të drejtën e propozimit e ka opozita. Ku i dihet ne mund të gjejmë kandidatin apo kandidaten që të marrë mbështetjen për të qenë Presidentin e Republikës. Këtë ua kemi thënë pa media edhe përfaqësuesve të tjera të opozitës”, tha Balla.

Sa i përket kritereve, Taulant Balla tha se edhe PS është dakord, pasi janë të shkruara edhe në ligj.

“Propozimi ynë është që tani ju keni të drejtën tuaj të propozoni, por e drejta juaj për të propozuar nuk është ekskluzive për të gjitha raundet. Pra deri në raundin e 3 mund të propozoni vetëm ju. Në rast se nuk biem dakord, pastaj me respektin e procesit sikur e thatë në raundin e 4 ne do të propozojmë dhe ju mund të shpreheni me votë”, tha Balla.

Duka: Duhet të gjejmë gjuhën e bashkëpunimit

Agron Duka u shpreh: Unë për vete mendoj që duhet të gjejmë gjuhë bashkëpunimi, do tentoj vetë personalisht, bashkë me grupin parlamentar të gjejmë 20 firma, t’ju sjellim ju pastaj besoj do ta digjni, ndoshta s’del parashikimi im dhe atëherë jemi shumë të kënaqur dhe pastaj të kemi sy e faqe përballë publikut dhe njerëzve që na kanë votuar ne që të themi raundet e tjera bëjini vetë sepse s’vijmë fare sepse ju e keni bërë si proces për të shkuar aty domethënë “uji te mulliri aty doni vetë”. Them që edhe populli që na dëgjon i duket sikur po bëjmë ndonjë gjë të madhe. Me thënë të drejtën edhe unë hyj tek njerëzit e thjeshtë. Nuk ma kap truni që të jetë kaq e vështirë kjo punë. Të mos tjerrim kaq gjatë, por ti biem troç gjërave. Ata të tre atje përfaqësojnë mazhorancën nuk është se kanë në dorë vetëm ata të tre. Po të jep llafin Balla ty që çke ti bjer propozimet dhe do i votojmë ne?! Këta e kanë ndarë mendjen për atë punë. Nëse këto do pranojnë një nga kandidaturat tona hajde e provojmë njëherë bëjmë një tentativë. Nëse jo del ajo që kemi thënë gjithmonë që këta duan të venë të vetin. Ama ajo pjesa që thuhet bëjmë 84 nuk shkon. Se edhe unë i bëj 84 personalisht. A i keni 76 ju andej? Sa i bie 76 se mos bëj gabim matematike? 8 veta. Ua garantoj që 8 veta i bëj edhe unë. Nuk mund të shprehesh këtu. Këtu problemi është nëse do me e gjet konsensual konsiderohet me qenë të gjithë bashkë.

Mediu: Opozita ose duhet të shkojë me kandidaturë, ose bën gabim fatal dhe i dhuron pushtet mazhorancës

Fatmir Mediu mendon se opozita ose duhet të shkojë me kandidat në raundin e ardhshëm për zgjedhjen e Presidentit ose përndryshe bën gabim fatal dhe i dhuron prapë autoritet mazhorancës.

“Prandaj duke vazhduar në atë që tha kolegu im Duka, duke respektuar të gjitha parimet, kriteret, etj, për të arritur në një figurë, opozita o duhet të shkojë me kandidaturë, ose bën gabim fatal për t’i dhuruar prapë autoritet dhe pushtet mazhorancës. Ne ose duhet të vendosim brenda këtyre ditëve kandidaturat që i mbështesin të gjithë. Secili ka të drejtë të propozojë, ose duhet të lerë këtë marrëdhënie e cila u bë e papranueshme për vetë opozitën”, tha Mediu.

Deklaratën ai e bëri gjatë një takimi që po  zhvillohet mes palëve për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Presidenti, Balla dhe Alibeaj bien dakord që deri në raundin e 3 të propozojë vetëm opozita

Mazhoranca ra dakord me dokumentin e propozuar nga Enkelejd Alibeaj. Taulant Balla u shpreh gjatë takimit që u zhvillua ditën e sotme, që mazhoranca është dakord që deri në raundin e 3 propozimet për kandidatë të vijnë nga radhët e opozitës. Alibeaj u shpreh se çdo shkelje e rregullave në dokument është shkelje e marrëveshjes.

Enkelejd Alibeaj: Mendja juaj është raundi i 4 dhe 5. Meqë keni lëshuar në eter sinjale bashkëpunimi dhe konsensusi, iu përgjigjëm. Ndërkohë zonja në krahun tënd thotë, po, po dhe në fund të na hiqni të drejtën e propozimit. Të drejtën na e jep kushtetuta. Me 20 firma propozohet një emër, depozitohet në administratë, mblidhet Komisioni i Ligjeve dhe vazhdon historia si vazhdon. Ne flasim për një gjë tjetër. 3 raundet e para propozimi të jetë i opozitës. Pikë! Asgjë më shumë. Kështu që nëse duam ta mbyllim, e mbyllim me një gjë fare të thjeshtë. Jeni dakord me dokumentin që iu kemi dhënë juve dhe kolegëve të tjerë? Kaq e thjeshtë.

Taulant Balla: Po! E Zgjidhëm. Ramë dakord. Deri në raundin e 3 propozimet i keni ju. Silni propozimet. Ne të tre thamë të njëjtën gjë sa herë morëm fjalën. Deri në raundin e tretë ju keni të drejtën e propozimeve. Ne nuk po propozojmë deri në raundin e 3. Sillni propozimet. I doni siç tha zoti Gjiknuri. Bëjeni si të doni ju. Mos harroni, nëse doni të konsultoni ndonjë emër e ne thjesht na thoni kur. Nëse doni të ecni në mënyrë ekskluzive ju përsëri dhe kjo është. Atëherë ramë dakord. Pranohet dokumenti juaj deri në raundin e 3. Raundin e 4 e ka thënë Kushtetuta si zgjidhet.

Enkelejd Alibeaj: Po! Por ki parasysh një gjë. Çdo shkelje, siç e ke lexuar në dokument i këtyre rregullave është shkelje e marrëveshjes./tvklan.al