E mbetur e vetme në Itali pas humbjes së bashkëshortit nga një aksident fatkeq, Klajda duhet të rriste dy fëmijët. Sot ajo punon në një bankë, por duart e saj kanë arritur të prekin edhe llaçin për të siguruar bukën e gojës. Ajo u shpreh gjatë “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se kthimi në Shqipëri nuk ishte një alternativë.
Prindërit ishin në vështirësi prej borxhit që kishin marrë për të dhe bënin sakrifica që ta ndihmonin duke ushqyer veten e djemtë me bishta prasi. Klajda bënte dy punë që të mbante fëmijët por një ditë, pati edhe për të një fillim të ri.
Klajda: Kur mungoi bashkëshorti im, unë kisha dy fëmijët e mi për t’i rritur. Unë punoja dy punë, paradite punoja kamariere dhe lija dy fëmijët e vegjël në shtëpi, të mbyllur, nga ora 8 deri në orën 4 dhe pasdite nga ora 6 deri në 12 të natës bëja ndihmës muratore. Duart e mia të vogla siç thotë mami im arritën që të punonin llaçin. Fëmijët e mi rrinin vetëm, unë i gatuaja dhe ai ngrohte për motrën bukën, luanin dhe vizatonin, të mbyllur në shtëpi gjithë ditën dhe më prisnin mua deri në orën 2 të natës kur vija.
Ardit Gjebrea: Kaluan vite dhe në jetën tënde shfaqet një person.
Klajda: Shfaqet Klaudio.
Ardit Gjebrea: Si e njohe?
Klajda: Po një ditë dola nga puna që bëja kamarieren, kisha fëmijët në shtëpi, ishte fati, ishte engjëlli, nuk e di, më ndalon në rrugë dhe më thotë të kam parë shpesh duke shërbyer, “a mund të dalim një ditë bashkë për një picë?” Janë disa gjëra që i ndien nga shpirti dhe mendova që ndoshta ishte momenti që edhe unë mund të rifilloja jetën time. Aty fillova të njihja Klaudion, pas shumë kohe e njoha me fëmijët e mi, u njoha me familjen e tij dhe ishte direkt një mbështetje e madhe.
Ardit Gjebrea: Ndërkohë ai pati një ‘feeling’ dhe anasjelltas bashkë me fëmijët, ai filluan që t’i thërrisnin “baba” Klaudios.
Klajda: Po, pas një viti që ne vendosëm të bashkëjetonim ata i kërkuan lejen nëse mund t’i thërrisnin “baba”./tvklan.al