
Rihanna nuk ka të ndalur, nominohet për çmim “Oscar”
Këngëtarja merr nominimin e parë për Oscar në karrierën e saj
Rihanna po dominon këtë sezon të cmimeve në Hollywood. Pak javë pasi fitoi nominimin e parë “Golden Globe” për këngën më të mirë në një film, superylli i muzikës R&B feston një triumf tjetër.
Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se Rihanna është nominuar për çmim “Oscar” në kategorinë “Kënga më e mirë origjinale, krahas bashkëpunëtorëve të saj Tems, Ludwig Göransson dhe regjisori Ryan Coogler. Ata po vlerësohen për këngën “Lift Me Up”, e cila është krijuar enkas dhe shërben si kolonë zanore e filmit, “Black Panther: Wakanda Forever”.
Në këtë kategori, Riri garon krah artistëve, Diane Warren dhe kënga e saj “Applause” nga filmi “Tell It Like a Woman”, Mitski me këngën “This Is a Life” nga filmi “Everything, Everywhere All At Once” dhe Lady Gaga, e cila është nominuar për këngën “Hold My Hand” nga filmi “Top Gun: Maverick”.
“Lift Me Up” është kënga e parë e këngëtares së shpërblyer me “Grammy”, në gjashtë vitet e fundit. Më 12 Shkurt, themeluesja e markës së modës “Savage X Fenty” rikthehet në skenë me performacën në finale të kampionatit të futbollit amerikan, “Super Bowl”.
Ndarja e çmimeve “Oscar” do të mbahet më 12 Mars. Pas paraqitjes shumë magjepsëse të Rihanna-s në ceremoninë “Globi i Artë”, së bashku me të dashurin A$AP Rocky, fansat mezi presin të shohin se çfarë do të veshë këngëtarja në tapetin e kuq.
Klan News