Rihapen bisedimet për marrëveshjen bërthamore për Iranin



Rihapen bisedimet për marrëveshjen bërthamore për Iranin

08:36 18/04/2021

Kryenegociatori i Iranit në bisedimet për të rigjallëruar marrëveshjen bërthamore tha të shtunën se është arritur përparim, por se mbetet shumë punë për të bërë para se të arrihet një marrëveshje përfundimtare.

“Duket se po arrihet një mirëkuptim dhe ka terren të përbashkët mes partive lidhur me qëllimin përfundimtar. Por rruga përpara nuk është e lehtë dhe ka disa mosmarrëveshje serioze”, i tha negociatori iranian, Abbas Araqchi medias shtetërore.

Përfaqësuesi i Kinës në negociata tha se palët e tjera të marrëveshjes së vitit 2015 ranë dakord të përshpejtonin përpjekjet për të zgjidhur problemet, si për shembull se cilat sanksione kundër Teheranit do të heqin Shtetet e Bashkuara dhe veprimet që duhet të ndërmarrë Irani për t’iu rikthyer respektimit të marrëveshjes.

Arritja e marrëveshjes ka gjasa të jetë ndërlikuar nga njoftimi i Iranit këtë javë se do të pasuronte uranium me cilësi 60 për qind, tre herë më e lartë se përpara.

Njoftimi i Teheranit për të përshpejtuar programin e pasurimit, erdhi si përgjgje ndaj sulmit të javës së kaluar ndaj kompleksit të tij bërthamor Natanz, për të cilin fajëson Izraelin, i cili thotë se Irani paraqet një kërcënim ekzistencial.

Ndërsa rifilluan bisedimet në Vienë, televizioni shtetëror iranian identifikoi 43 vjeçarin Reza Karimi, si të dyshuar për sulmin dhe tha se ai kishte lënë vendin “disa orë përpara” incidentit.

“Hapa të nevojshëm po ndërmerren për arrestimin e tij dhe kthimin në vend përmes kanaleve ligjore”, tha televizioni shtetëror.

Bashkimi Evropian tha se negociatat e së shtunës do të përfshinin zyrtarë të BE-së dhe të dërguar nga Britania, Kina, Franca, Gjermania, Rusia dhe Irani.

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën në vitin 2018 nga marrëveshja dhe filluan të intensifikojnë sanksionet ndaj Iranit nën ish-presidentin Donald Trump, i cili e kritikoi marrëveshjen e negociuar nga paraardhësi i tij Barack Obama, duke thënë se nuk bënte sa ç’duhej për të ndalur sjelljen e Iranit./VOA







Të ngjashme