“Drejtuesit e universiteteve të dorëzojnë programet brenda 15 Shkurtit”

Pas 5 vitesh bllokim rihapen programet e Doktoraturave dhe të Masterave Ekzekutiv. Sipas Ministres Besa Shahini, deri në 15 Shkurt, universitetet duhet të aplikojnë në Ministrinë e Arsimit për programet e Doktoraturës për vitin e ardhshëm akademik. Por për të marrë miratimin nga Ministria e Arsimit, fakultetet duhet të kenë siguruar financimin për projektin kërkimor shkencor.

Të kontaktuar nga Televizioni Klan, rektorët e fakulteteve publike në Tiranë deklaruan se po bëjnë gati dokumentacionin me programet e masterit shkencor, për t’i dorëzuar brenda afatit të vendosur nga Ministria.

Prej 5 vitesh cikli i tretë i studimeve ishte bllokuar nga Ministria me argumentin se punimet e doktorantëve ishin pa cilësi dhe plagjiaturë. Për këtë të fundit, MAS thotë se tashmë çdo fakultet do të ketë akses në software-in antiplagjiaturë në Gjuhën Shqipe, për verifikimin e titujve akademikë.

Tv Klan