Në fund të muajit caktohen pronarët

Gara për krijimin e aksionerëve të Bursës Shqiptare të Energjisë është rihapur pas dy muajsh pezullimi për shkak të situatës së krijuar nga Covid -19.

Komisioni i Posaçëm i Tenderit për krijimin e Kapitalit të Operatorit të Tregut ka vendosur që të presë ofertat e kompanive dhe institucioneve financiare që kërkojnë të jenë pronarë të saj deri më datë 29 Qershor.

Këshilli i Ministrave i dha formë për herë të parë krijimit të tregut të kapitaleve të energjisë në Maj të vitit të shkuar, ku zotëruese e 35% të aksioneve do të jetë shteti përmes kompanisë publike të Operatorit të Sistemit të Energjisë, por do të lejojë pjesëmarrjen në këtë kapital edhe të shoqërive të tjera, publike dhe private si dhe të institucioneve financiare.

Bursa do të ketë fillimisht një kapital prej 250 milionë Lekësh, ndërsa pas vendosjes së aksionerëve të saj, pritet të nisë menjëherë funksionimi.

Historia e krijimit të Bursës së Energjisë në Shqipëri është e gjatë, jo vetëm për shkak të rekomandimeve që kanë bërë organizata ndërkombëtare në këtë fushë, si Komuniteti i Energjisë dhe IFC- degë e Bankës Botërore, por dhe sepse i jep fund njëherë e mirë zhvillimit të tenderave të shitjes dhe blerjes së energjisë nga kompanitë publike në Shqipëri.

Bursa do të tregëtojë energjinë elektrike në kohë reale dhe transparente duke i sjellë efiçencë sistemit dhe kursim parave të kompanive shtetërore në këtë treg.

Vetëm gjatë 2019-s , OSHEE bleu mbi 200 milionë Euro energji elektrike për shkak të thatësirës dhe rënies së prodhimit nga KESH.

Tv Klan