Balluku: Kemi patur kërkesa nga investitorë, në Janar shpallin fituesin

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka rihapur pas 8 muajsh garën për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Në Prill të këtij viti për shkak të pandemisë, procedura u pezullua në pritje të interesit të kompanive ndërkombëtare në fushën e aviacionit civil, të cilat morën goditjen më të madhe nga kjo krizë.

“Aviacioni civil, fusha më e goditur nga kjo pandemi, na bëri që të merrnim një vendim në ato momente të duhurin, bllokuam këtë proces, e ngrimë, për ta rihapur në një moment të dytë atëherë kur investitorët ndërkombëtar do të kishin interes për t’u futur në garë”.

Afati i ri për dorëzimin e ofertave është lënë data 23 Dhjetor dhe shpallja e fituesit pritet të bëhet brenda Janarit të vitit të ardhshëm. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha se ka patur interes nga investitorë për të ndërtuar aeroportin.

“Pas kërkesave të shumta që kemi pasur nga investitorët kemi vendosur që duke filluar nga 23 Nëntori të hapim garën ndërkombëtare për ndërtimin dhe operimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, e cila do të qëndrojë hapur edhe për 30 ditë, deri në 23 Dhjetor të këtij viti. Në mes të muajit Janar, ne, stafet tona dhe ekspertët, sigurisht dhe konsulentët që na kanë mbështetur në të gjithë këtë proces, do kenë mundësi që të nxjerrin një fitues”.

Tenderi për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës mbështetet në formulën koncesionare: ndërtim –operim – transferim, ku investimi do të jetë tërësisht privat, ndërsa buxheti i shtetit merr përsipër të garantojë të ardhurat minimale në 10 vitet e para nëse do të jenë më të ulta se 140 milionë Euro.

Sipas parashikimeve në dokumentet e tenderit, vlera e ndërtimit të këtij aeroporti arrin në 87 milionë Euro, ndërsa mendohet që në vitet e para të operimit të ketë një fluks prej 465 mijë pasagjerësh.

Kompania që do të shpallet fituese do të operojë këtë aeroport për 35 vjet. Si vendndodhje për pistën është zgjedhur zona e Akërnisë në Vlorë, 10 minuta larg aksit kombëtar Levan-Vlorë, ndërsa mendohet që ky aeroport do të shfrytëzohet nga linjat ultra loë cost, të cilat mund të arrijnë të sigurojnë fluksin e pritur të udhëtarëve.

Tv Klan