Rihapet Kulla Eiffel




Rihapet Kulla Eiffel

14:15 16/07/2021

Brenda një ditë do të lejohen vetëm 10 mijë vizitorë për t’u ngjitur në simbolin e Parisit

Ulja e infektimeve në Francë i nxiti autoritetet të hapin për turistët kullën Eiffel. Brenda një dite do të lejohen vetëm 10 mijë vizitorë, më pak se gjysma e periudhës së para pandemisë.

E mbyllur që prej tetorit 2020, rihapet në Paris për vizitorët Kulla Eiffel mes entuziazmit të turistëve dhe bizneseve. Kulla u mbyll për shkak të pandemisë së koronavirusit, ndërsa një gjë e ngjashme ndodhi vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Çdo vit objekti tërheq mbi 7 milionë vizitorë, ndërkohë në ditën e parë autoritet lejuan vetëm 10 mijë vetë.

Turistët, shumica kryesisht nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara janë rikthyer në Paris duke nxitur optimizmin tek biznesi i një prej qyteteve më të vizituara të botës.

“E kemi pritur gjatë vizitën në Paris dhe në kullën Eiffel. Kam qenë këtu katër apo pesë herë dhe kësaj radhe do t’i tregoj vajzës sime kullën Eiffel,” thotë një turist nga Danimarka.

Numri i turistëve nga Azia dhe nga SHBA-ja shkoi thuajse në zero vitin e kaluar për shkak të ndalimit të flurimeve dhe kufizimeve që autoritetet vendosën për të frenuar përhapjen e koroanvirusit.

Tani që norma e infektimeve ka rënë, autoritetet po i heqin gradualisht kufizimet. Detyrimi për të mbajtur maskën në publik është hequr ndërsa ora policore është kufizuar.

Në vitin 2019, turizmi kontribuoi me 6.5 përqind të ekonomisë së rajonit të Parisit.

Klan News





Të ngjashme