2

Pas më shumë se 5 dekadash, në Havanë është valvitur sërish flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Flamuri u ngrit nga tre marinsa në oborrin e përfaqësisë diplomatike të Washingtonit, në përurimin e rihapjes së kësaj ambasade. Edhe në mbylljen e saj në vitin 1961, tre marinsa ulën flamurin, pas ardhjes në pushtet të Fidel Kastros.

I pranishëm në ceremoni ishte sekretari amerikan i shtetit John Kerry, i cili u bë i pari zyrtar i lartë që viziton Kubën pas 70 vitesh.

1

Ndër të tjera, Kerry u shpreh se është në interes të popullit kuban për të jetuar në një demokraci të vërtetë, ku njerëzit të zgjedhin udhëheqësit e tyre, të shprehin lirshëm idetë dhe besimin e tyre. Pranoi gjithashtu se politikat amerikane në të kaluarën nuk e çuan vendin drejt demokracisë.

Gjatë ceremonisë nuk ishin ftuar të merrnin pjesë disidentë, një veprim që nga analistët shihet si një “hyrje me qetësi”. Në prill, presidenti amerikan Barack Obama dhe homologu kuban Raul Kastro u ulën për të parën herë në bisedime në takimin e Panamasë, ç’ka shënoi një pikë kthese në raportet mes dy vendeve.

Prej atëhere, sanksionet ndaj Kubës kanë ardhur duke u lehtësuar. Një ditë para vizitës së Kerry-t, ish – udhëheqësi Fidel Kastro që drejtoi ishullin për 49 vite festoi 89 – vjetorin e lindjes. Ai i kërkoi Washingtonit t’i kthejë borxhet që i ka Kubës ndër vite.

Tv Klan