Qeveria s`ka plane për karantinë lokale

Autoritetet e shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut sërish kanë hapur një sallë të Qendrës Sportive në Shkup për imunizimin e popullatës.

Një vendim i këtillë erdhi pas rritjes së dukshme të interesimit të qytetarëve për t`u vaksinuar, sidomos pas hyrjes në fuqi të masave të reja, por edhe pas rritjes enorme të infektimeve të reja me COVID-19.

Ministri Filipçe ka bërë të ditur se situatë më e rëndë me kapacitetet spitalore paraqitet në Tetovë e Gostivar por edhe në qytete tjera si Kërcovë e Strugë.

Ai e quajti inkurajuese rënien e infektimeve të reja dhe tha se është herët për të shpallur fitoren në këtë valë. Sipas tij, vaksinimi është mënyra e vetme për ta mposhtur virusin.

“Deri më tani, gati 700,000 qytetarë janë vaksinuar. Interesimi për vaksinimin e të rinjve, nga 18 deri në 40 vjeç, po rritet ndjeshëm. Numrat e rinj të të sapo diagnostikuarve janë inkurajues në kuptimin që ata janë në rënie, por është ende shumë herët për të shpallur fitoren në valën e katërt. Më lejoni të bëj thirrje për vaksinim masiv, veçanërisht për prindërit, fëmijët e të cilëve do të shkojnë në shkollë dhe kopsht, për të mbrojtur familjet”.

Nga ana tjetër, Kryeministri Zoran Zaev, bëri të ditur se nuk ekzistojnë plane për karantinime lokale apo orë policore. Sipas tij shifrat e infektimeve po bien.

“Nuk po diskutohet për karantinime dhe masa tjera shtesë në nivel lokal. Mirë është që në qytetet më të goditura shifrat e infektimeve fillojnë të bien dhe shpresojmë se do të shënojnë rënie edhe ditëve në vijim”.

Autoritetet e shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut kanë shfaqur shqetësime për numrin gjithnjë në rritje të të rinjve që janë të infektuar dhe të shtruar nëpër spitalet Covid të vendit.

Shkalla e ulët e vaksinimit të të rinjve, sipas MSH-së, është shkaku që në mesin e të infektuarve të ketë më shumë të rinj, të cilët, nëse nuk janë të imunizuar mund të zhvillojnë formë të rëndë të sëmundjes, që mund të shkaktojë hospitalizimin por edhe të përfundojë me fatalitet.

Brenda tre ditëve në RMV janë shënuar 88 viktima. Në mesin e tyre edhe një 21-vjeçar nga Tetova pa sëmundje shoqëruese, por edhe të tjerë nga mosha 30 deri 40 vjeç.

Klan Macedonia