Trëndafila të bardhë, luledielli, qirinj dhe mesazhe ngushëllime u vendosën në Stradale 45, përballë lokalit Village, aty ku ende pa gdhirë e diela, dy të rinj shqiptarë u shuan në mënyrë tragjike. Ergi Skënderi dhe Xhuljo Kaja, 20 dhe 22 vjeç, kanë lënë pas një boshllëk të papërshkrueshëm për familjarët e miqtë e tyre.

I gjithë komuniteti është tronditur nga aksidenti që i mori jetën dy të rinjve, ndërsa mediat fqinje kanë përcjellë sot fotot e tyre dhe reagimet prekëse.

Ishte ora rreth 03:30. Ergi dhe Xhuljo sapo kishin nga diskoteka, në rrugën mes La Verza dhe Quarto në Piacenza, kur u përplasën nga një makinë. Në timon ndodhej 30-vjeçarja Irina Vetere, e cila rezultoi pozitive në testin e alkoolit (5 fish mbi normat e lejuara).

E reja u arrestua me akuzën e vrasjes së dyfishtë rrugore dhe ndodhet në spital, nën shok. Mes shkaqeve të këtij aksidenti mediat fqinje shkruajnë se mund të jetë mungesa e ndriçimit në zonë, pasi shtyllat e dritave para lokalit, sipas dëshmive, nuk ishin të ndezura.

Ndërkohë, në redaksinë e italianes Liberta, letra e një vullnetari të kryqit të kuq të Piacenzas, i cili ishte ndër të parët në vendngjarje, tregon për një skenë të cilën edhe ai vetë e përshkruan tronditëse, ndonëse në 10 vjet eksperiencë ka parë shumë të ngjashme.

“Këtë herë atmosfera ishte surreale.

Errësirë, ulërima, sirena blu të të gjitha llojeve.

Nuk e di sa janë, nuk e di ku janë, nuk e di kush janë.

Njerëz që vrapojnë sa andej këtej, dikush qan, dikush ulëret, dikujt i bie të fikës.

Angazhohesh për të bërë ç’të mundesh, gjithçka di, të gjithë protokollet që të kanë mësuar dhe të ndjekësh udhëzimet e profesionistëve që kanë mbërritur në vendngjarje me ty.

Këtë herë ishte ndryshe.

Në fytyrën e mjekëve që ndodhen në gjunjë bashkë me ty, lexon se këtë herë duhet të dorëzohesh.

Në mendjen e një punonjësi të ndihmës së shpejtë nuk parashikohet që të futesh në një ambulancë boshe.

Rihipën për t’u kthyer, por një ulërimë therëse të ndan më dysh.

Një nënë…

Kthimi ishte drithërues, ashtu si gjithë skena para nesh.

Këtë herë humbën, këtë herë humbëm të gjithë…”//tvklan.al