Oliver Varhelyi: Nuk kam lidhje me Viktor Orban

Oliver Varhelyi do të jetë komisioneri i ri i Bashkimit Europian për zgjerimin. Komisioni i punëve të jashtme të Parlamentit Europian konfirmoi politikanin hungarez për këtë post në Komisionin e ri të drejtuar nga Ursula fon der Lajen.

Komisioni i jashtëm i PE-së vlerësoi pozitivisht përgjigjet shtesë me shkrim të dhëna nga Varhelyi, ku ai mohonte kategorikisht se kishte lidhje apo ndikohej nga kryeministri euroskeptik hungarez Viktor Orban. Këto dyshime i ngritën disa eurodeputetë të majtë, të cilët në seancën e javës së kaluar të komisionit të jashtëm kërkuan shtyrjen e vendimin për mandatimin e tij në postin e Komisionerit për zgjerimin deri në sqarimin e pozicionit të tij.

Me profesion jurist, Oliver Varhelyi ka një karrierë të gjatë në diplomaci, ku më i rëndësishmi është posti i ambasadorit të Hungarisë në BE, si edhe shef i departamentit në Komisionin Evropian për të drejtat e pronësisë industriale.

Në programin e tij, Varhelyi ka si prioritet hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut para samitit të Zagrebit të 7 dhe 8 majit. Ai u ka propozuar vendeve skeptike si Franca, Holanda e Danimarka, përfshirjen e ekspertëve të tyre në misionet faktmbledhëse për vlerësimin e reformave të të dy vendeve për të evituar një tjetër dështim.

Tv Klan