Bashkia e Tiranës nis punimet edhe për rikonstruksionin e dy godinave të tjera në Qytetin Studenti. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se do të investohet edhe në mjediset e përbashkëta.

“Jemi duke vazhduar, sipas premtimit për “Paktin e Universitetit”, me të gjitha ndërhyrjet në konvikte. Siç premtuam, se brenda janarit do të kishte filluar puna me themel, kur vjen puna tek hapësirat e përbashkëta, dushet, hapësirat e banjave, pajisjet higjieno-sanitaret, të gjitha sallat e leximit, korridoret dhe fasadat. Presim lirimin e dhomave në Korrik, për t’i hyrë me themel edhe dhomave, besoj është një lajm i shkëlqyer dhe një nga arritjet e Paktit me Universitetin”.

Veliaj u ndal edhe Kampusi i ri i Universitetit, për të cilin tha se grupi i punës ka nisur konsultimet me universitet dhe ekspertët.

“Sot jemi në fazat e konsultimeve në nivel ekspertësh, nga secili fakultet apo universitet, për nevojat e tyre. Kemi marrë edhe një listë nevojash, si për mensa, për biblioteka dhe terrenet sportive. Kemi filluar në një pjesë të godinave furnizimin me internet, duke qenë se sot është bërë po aq i rëndësishëm sa energjia dhe uji”.

Kryebashkiaku tha se po përgatitet një VKM për të ulur tarifat e energjisë për ndërmarrjet studentore, në mënyrë që të rritet performanca financiare e tyre.

Tv Klan