Rikonstruktohet çerdhja “pranverat”

Rikonstruktohet çerdhja “pranverat”

15:21 08/09/2019

Veliaj: Do shfrytëzojmë hapësirat publike për mjedise të reja

Shtohen kapacitetet me mjedise të reja për të vegjlit në çerdhen “Pranverat”, në njësinë nr 10. Gjatë inspektimit të punimeve, kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se janë rritur kërkesat për çerdhet dhe kopshtet publike.

“Njësia 10 është vërtet e vogël si hapësirë, por me ka dendësi të jashtëzakonshme popullsie. Është në zemër të Tiranës, do të thotë se edhe trysnia mbi njësinë për të pasur shërbime për çerdhe e kopshte është i jashtëzakonshëm. Ndihemi disa herë mirënjohës për skuadrën tonë që ka punuar gjatë verës sepse po krijon një hapësirë ku, jo vetëm do të rrisim në kushte shumë dinjitoze çunat dhe gocat e Tiranës, por do të lirojë prindër, që pasi ia besojnë fëmijët çerdheve tona, të kenë mundësi të kenë aktivitetin e t’i rikthehen punës së tyre.”

Veliaj tha se bashkia e Tiranës do të shfrytëzojë çdo hapësirë publike për shtimin e mjediseve të reja.

“Në vende si kjo hapësirë në zemër të Tiranës, ku edhe shpronësimi është i shtrenjtë, ku edhe toka e lirë është e paktë, po mundohemi të shfrytëzojmë maksimalisht; pra, kemi dyfishuar kapacitetin e çerdhes, duke shtuar 4 grupe të tjera dhe do të mundohemi që në të gjithë territorin, aty ku ka vend për hapësira të reja, të zgjerojmë hapësirat e akomodimit, të shtojmë grupet apo edhe terrenet sportive, siç do të bëjmë edhe këtu një kënd lodrash.”

Për të ulur fluksin e kërkesave për kopshtet publike, Veliaj  tha se po punohet që të tilla institucione  të ngrihen pranë ndërmarrjeve, apo kompanive të mëdha private.

Tv Klan

LAJMET
Të ngjashme
Delta

UKT