Bashkia e Tiranës ka nisur rikonstruksionin e godinës Numër 5 në Qytetin Studenti. Teksa pa nga afër ecurinë e punimeve Kryebashkiaku Veliaj u kërkoi studentëve që t’i kthehen mësimit për t’i hapur rrugë, gjatë verës, vijimit të punës me kapacitet të plotë, në mënyrë që viti i ri akademik t’i gjejë me ambiente komode.

“Është shumë e rëndësishme që të rikuperohen ditët e humbura të mësimit gjatë periudhës së dhjetorit, dhe e dyta, për ato pak fakultete ku ende ka bllokim të mësimit, studentët duhet të kuptojnë, jo për çështje politike, por për çështje praktike, nëse nuk na lirohen dhomat në korrik dhe mësimi vazhdon gjatë korrikut dhe gushtit, nuk kemi më kohë që kthimi i tyre në vjeshtë, t’i gjejnë dhomat e rregulluara. Ndaj, u apeloj studentëve, mos mendoni për partitë, mendoni për interesin tuaj dhe për interesin tuaj, sa më shpejt të mbarojë viti mësimor dhe të mos shtyhet, aq më shpejt mbarojnë dhomat tuaja, që në tetor të fillojnë të gjithë në ambiente shumë më komode”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës shtoi se për rikonstruksionin e konvikteve, Bashkia e Tiranës, krahas mbështetjes buxhetore, po aplikon edhe skemën “adapto një konvikt” e ndjekur në rastin e çerdheve dhe të kopshteve.

“Thirrja sot është për kompanitë celulare, për bankat, për kompanitë e ndërtimit, për kontraktorë që mund të kenë punuar me Bashkinë e Tiranës, dhe për sa kohë kanë pasur një klimë transparente, të hapur, të garave të tyre, dhe kanë bërë punë publike, ne kërkojmë që të kthejnë mbrapsht diçka në komunitet, duke adoptuar një nga konviktet e Qytetit Studenti

Për shkak se studentët jetojnë ende në konvikte, punimet janë përqendruar në mjediset e përbashkëta, ndërsa ndërhyrja nëpër dhoma do bëhet gjatë muajve të verës, kur studentët të largohen në shtëpitë e tyre.

Tv Klan