Veliaj: Do lirojmë kopshtet dhe shkollat e zaptuara ndër vite

100-vjetori i Tiranës kryeqytet i gjen 570 nxënësit e shkollës “Konferenca e Pezës” me mjedise disa herë më të mira dhe me laboratorë e terrene sportive. Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e një prej shkollave më të mëdha në Njësinë 10. 

“Jam shumë i lumtur që rikthehemi në këtë shkollë me një lajm të mirë. Vërtet themi Konferenca e Pezës është një ngjarje e shënuar, që bashkoi shqiptarët përtej bindjeve, por ndonjëherë e harrojmë simbolikën dhe emrat që u vëmë institucioneve, me cilësinë që ato kanë. Jam i lumtur që kemi një shkollë më cilësore, që i shërben zemrës së Tiranës”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku dha lajmin e mirë se pas rikonstruksionit të mjediseve të shkollës, do të fillojë puna edhe për lirimin e hapësirave të zaptuara gjatë viteve të tranzicionit, për t’ua rikthyer sërish nxënësve. “Ashtu siç po bëjmë te shkolla ‘Kosova’, edhe te ‘Konferenca e Pezës’, pasi ka mbaruar pjesa e madhe e rikonstruksionit të shkollës, do të vazhdojmë me shpronësimet, për t’i larguar nga oborret e shkollës dhe për të filluar jetën diku tjetër, ku është për banim. Shkolla është për arsim, për lojë, për terrene sportive, për hapësira që i gëzon gjithë komuniteti, dhe jo vetëm për një familje që zapton. Ne do të vazhdojmë me lirimin e kopshteve dhe shkollave. Pastrimi i terreneve nuk do të ndodhë për një ditë, sidomos kur i kanë legalizuar dhe hipotekuar, për të cilat do të duhet t’i shpronësojmë”, nënvizoi ai.

Veliaj shtoi se ky është një moment për të menduar edhe për Tiranën e 100 viteve të ardhshme. “Herën tjetër që do vij te ‘Konferenca e Pezës’ do të jetë për të filluar pjesën e palestrës që do t’i shtohet shkollës, dhe për të ndarë veç çfarë është për banim, dhe çfarë është për arsim. Momenti që i kemi hyrë në hak edhe fëmijëve me ndërtime pa leje në kopshte, shkolla, edhe çerdhe, do të thotë se jemi shoqëri që mendojmë vetëm sot për sot dhe jo për nesër. Dua që Tirana jonë, në këtë 100-vjetor, të mendojë edhe për 100 vitet e tjera”, deklaroi ai.

Grupet e punës po vijojnë me studimin e thelluar të mjediseve arsimore pas lëkundjeve të forta sizmike, për të nisur punën për përforcimin e strukturave ose rindërtimin nga e para të godinave. “Jemi duke bërë studimin e thelluar të disa shkollave që paraqesin probleme nga situata e tërmetit. Disa shkolla do të rihapen pas fortifikimeve dhe përforcimeve. Disa shkolla të tjera, në zona rurale, do të prishen dhe do të bëhen nga e para, përfshirë edhe një shkollë në zonën e Kombinatit. Unë e di se njerëzit mundohen të kapen diku dhe thonë: Shkolla u rikonstruktua, si e dëmtoi tërmeti? Kur themi rikonstruksion është kryesisht një sistemim total, dyer, dritare, rrjetet e ngrohjes, rrjetet e energjisë, rrjetet hidraulike, nyjet higjieno-sanitare, e gjithë veshja me kapotë, sistemimi i terrenit”, shpjegoi Veliaj.

Drejtori i Shkollës 9-vjeçare ‘Konferenca e Pezës’, Petraq Tili tha se falë rikonstruksionit të kryer nga Bashkia e Tiranës, mjediset e shkollës janë transformuar tërësisht./tvklan.al