Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka reaguar pas fitores së Shqipërisë ndaj Andorrës me rezultatin 3-0.

Në një postim në rrjetet sociale, Duka ka përgëzuar skuadrën për lojën e bërë, teksa ka shtuar se ky është vetëm fillimi dhe ka shumë rrugë përpara.

Presidenti i FSHF ka theksuar se të gjithë duhet të kenë besim tek këta djem dhe tashmë duhet të festojmë për fitoren  dhe të punohet për të tjerat në vazhdim.

“Rikthehemi në shtëpi, rikthehemi te fitorja, me lojë bindëse! Ishte pikërisht ajo që na duhej ndaj Andorrës, ishte një detyrim për vetë faktin që duam të ëndërrojmë deri në fund për të synuar një vend në Botërorin 2026. Janë tre pikët e para për skuadrën, që e përgëzoj për paraqitjen e bërë. Është vetëm fillimi, ka shumë rrugë përpara.

Të gjithë duhet të kemi besim te këta djem, janë të njëjtët që na kanë bërë krenarë deri më tani, që na kanë çuar në Europian, që kanë dhënë emocione, që na kanë dhënë mundësinë të ndjehemi krenarë kudo. Le të festojmë këtë fitore dhe të punojmë për të tjera në vazhdim!”, shkruan Presidenti Duka.

Kombëtarja shqiptare regjistroi fitoren e parë në eliminatoret e Botërorit 2026. Kuqezinjtë triumfuan 3-0 ndaj Andorrës me dy gola të realizuar nga Rey Manaj dhe një nga Myrto Uzuni./tvklan.al