Zbulimi amerikan: 3 ekspertë u sëmurën në Nëntor 2019

Kthehen sërish në vëmendjen e mediave dyshimet se COVID-19 doli aksidentalisht nga laboratori i Wuhan-it, ku mbahej për studime edhe pse ekipi i ekspertëve të OBSH-së e përjashtoi këtë mundësi gjatë vizitës faktmbledhëse në Kinë në muajt e parë të këtij viti.

E përditshmja prestigjioze Wall Street Journal citon një raport të fshehtë të shërbimeve amerikane të zbulimit, ku pohohet se në Nëntor të vitit të kaluar, 3 ekspertë të Institutit të Virologjisë së Wuhanit në Kinë kërkuan ndihmë spitalore për shkak të disa problemeve shëndetësore për arsye të paqarta në atë kohë.

Raporti tregon se pas tyre, të tjerë persona që kishin pasur kontakte me ta shfaqën të njëjtat probleme. Një muaj më vonë, Kina pranoi zyrtarisht qarkullimin e COVID-19-ës, duke vënë në karantinë gjithë Wuhanin.

Këto të dhëna mund të nxisin rishikimin e raportit të ekspertëve ndërkombëtarë të OBSH-së, të cilët në Shkurt përjashtuan mundësinë e daljes aksidentale të virusit nga laboratori i Wuhanit, duke mbështetur hipotezën se burimi më i mundshëm kanë qenë lakuriqët e natës.

Raporti i zbulimit amerikan detyroi OBSH-në të shtyjë një mbledhje ku do të përcaktoheshin kornizat e një hetimi të ri mbi origjinën e COVID-19.

Tv Klan