Sallat e kumarit do të lejohen 6 zona kryesore në kryeqytet

Dy vjet pas vendimit për të mbyllur tërësisht lojërat e fatit, Këshilli i Ministrave ka vendosur të kthejë kazinotë edhe në rrugë. Një vendim i publikuar një ditë më parë në Fletoren Zyrtare, lejon licencimin e kazinove në zonat më prioritare të kryeqytetit.

Aktualisht ligji lejonte hapjen e tyre vetëm në hotele me 5 yje, të cilat duhet të kishin një akreditim nga institucionet ndërkombëtare dhe mbajtëse të markave të njohura në rang global, për këtë kategori u dha edhe licenca e parë, më 19 Maj të këtij viti.

Ligji i miratuar nga mazhoranca e sotme, lejon dhënien e vetëm dy licencave në zonat me rëndësi kombëtare, të cilat duhet të vendosen nga Këshilli i Ministrave.

“Në secilën zonë të përcaktuar si me rëndësi kombëtare lejohen të jepen një licencë për kategorinë “Kazino” dhe një licencë për kategorinë “Resort kazino”.

Vendimi tashmë lejon që të jepen licenca në 6 rrugë të kryeqytetit: “Rruga e Barrikadave”, “Urani Pano”, “Rruga Dedë Gjon Luli”, “Ibrahim Rrugova”, “Xhorxh W. Bush” dhe bulevardi “Zhan D’Ark”.

Qëllimi i Ligjit për Lojërat e Fatit ishte zhvillimi dhe vjelja e të ardhurave në zonat turistike duke i dhënë prioritet ndërtimit të resorteve dhe ardhjes së turistëve edhe për të luajtur.

“Zona me rëndësi kombëtare” janë zonat turistike, të cilave, sipas ligjit përkatës të turizmit dhe projekteve të zhvillimit, u është dhënë përparësi zhvillimi dhe investimi në fushën e turizmit.”

Televizioni Klan pyeti zyrtarisht në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, nëse janë klasifikuar edhe 6 rrugët ku do të licencohen kazinotë si zona me rëndësi për zhvillimin e turizmit të kumarit dhe nëse do të respektohet ligji për dhënien e vetëm dy licencave në një zonë të vetme, në këtë rast kryeqyteti, por ende nuk ka marrë një përgjigje.

Në Janar të vitit 2019, në Shqipëri u shpall e paligjshme industria e bixhozit. Shumë biznese dhe mijëra vende pune u mbyllën me qëllim parandalimin e varësisë të shtresave vunerabël ndaj lojërave të fatit, një zotim i cili u vendos në nenin 2 të ligjit për lojërat e fatit.

Sipas të dhënave zyrtare mes viteve 2012-2018, shqiptarët kanë shpenzuar në këtë industri 592 milionë euro. Me këto shifra, i bie që çdo qytetar në vendin tonë, mbi 18-vjeç, të ketë luajtur të paktën njëherë 280 euro në lojëra fati.

Tv Klan