Pavarësisht niveleve të larta të vaksinimit dhe sistemeve të mira të kujdesit shëndetësor, rastet me koronavirus në Evropë po njohin vetëm rritje. Në këto kushte shumë shtete evropiane e kanë parë të arsyeshme të rikthejnë masat e rrepta kundër Covid-19. Në prag të festave të fundvitit, Gjermania kufizon kontaktet edhe për të vaksinuarit dhe të shëruarit.

Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi pas Krishtlindjeve, pra, më 28 Dhjetor. Pas kësaj date nuk do të lejohen më takime me më shumë se dhjetë vetë njëherësh. Klubet dhe diskotekat do të mbyllen, ndërsa ndeshjet e futbollit dhe aktivitetet e ngjashme do të bëhen pa publik.

Koronavirusi nuk bën pushime për Krishtlindje,‘ tha kancelari gjerman Olaf  Scholz teksa prezantoi masat.

Scholz do të takohet sërish me krerët e shteteve gjermane më 7 Janar për të diskutuar për situatën me pandeminë Covid-19. Portugalia do të mbyllë baret dhe klubet e natës nga 26 Dhjetori, derisa punën nga shtëpia do të bëjë të detyrueshme deri më 9 Janar. Në natën e Vitit të Ri nuk mund të mblidhen më shumë se 10 persona në rrugë dhe pirja e alkoolit jashtë do të ndalohet. Në Finlandë, baret dhe restorantet do të mbyllen në orën 22:00 nisur nga 24 Dhjetori. Edhe në Suedi qytetarëve u është kërkuar të punojnë nga shtëpia.

Prej shpërthimit të pandemisë, Evropa ka regjistruar më shumë e 89 milionë raste me koronavirus ku 1.5 milionë prej tyre kanë humbur jetën.

Klan News