Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të kthehen në bankat e shkollës maturantët. Kryetarja e Komitetit të Ekspertëve, Mira Rakacolli, u shpreh se ky vendim vjen pas vaksinimit që i është bërë mësuesve. Megjithatë situata do të jetë gjatë gjithë kohës në monitorim tha ajo.

“Mendojmë që masat e propozuara për t’u rishikuar në afatin që u la në mbledhjen paraardhëse të shikohen në po atë afat me përjashtim të faktit që duke u bazuar në shifrat e infeksionit Covid-19, në grupmoshën 15-20 vjeç dhe duke marrë parasysh rezultatet impresionuese nga vaksinimi masiv në kushtet dhe momentin që zhvillohet viti akademik, maturat të fillojnë mësimin në klasë. Kjo është një masë, vijimësia e së cilës do të kushtëzohet nga një monitorim shumë i kujdesshëm i shifrave gjatë kohës që maturat do të jenë të hapura. Maturat duhet të zbatojnë protokollet e sigurisë për mbrojtjen nga infeksioni”.

Sa i përket masave të tjera, Rakacolli tha se mbeten në fuqi të njëjtat. Në fuqi do të mbetet ora policore 20:00-06:00. Gjatë kësaj fashe orare përveç lëvizjes së qytetarëve nuk do të lejohet as aktiviteti i bareve apo restoranteve. Rakacolli u shpreh se për pjesën tjetër të sistemit arsimor mësimi do të vazhdojë online. Të pezulluara mbeten edhe fluturimet me Britaninë e Madhe. Po ashtu sipas rregullores nuk lejohet grumbullimi i më shumë se 10 personave.

“Masat e tjera do të mbeten njëlloj, siç është ora policore, nga ora 20:00 deri në 6:00 me përjashtim të atyre qytetarëve që kanë problem shëndetësore ose probleme të punës. Do të vazhdojnë baret dhe restorante të mbyllura pas orës 20:00 me përjashtim të shërbimit delivery. Mësimi do të vazhdojë online për të gjitha pjesët e tjera të sistemit arsimor. Njëkohësisht edhe fluturimet me Britaninë do të vijojnë të jenë të mbyllura deri në vlerësimin e dytë të masave”.

Ekspertët në Komitetin Teknik deklaruar se është rritur numri i bashkive të prekura me virus. Po ashtu, sipas ekspertëve, përhapja e Covid është rritur në bashkitë dhe fshatrat e vogla.

Sipas Komitetit, shifrat e infektimeve të reja dhe ato në spitale tregojnë një përmirësim të situatës.

“Vlerësimi i situatës epidemiologjike për periudhën 2 javore. Këtë herë kemi marrë në shqyrtim periudhën 17 – 30 mars. Kemi ulje të indidencës, 219 raste nga 100 mijë banorë. Mesatarja e infektimeve ditore është ulur nga 419 nga 532 raste. Por është rritur numri i bashkive të prekura 43 në javë dhe kjo sidomos në bashkitë e vogla.  Mesatarja javore e pacientëve në spital është ulur, ata në terapi intensive nga 16 në 11”, tha Fico.

“Jemi 1700 – 1800 thirrje në 24 orë, ulje e numrit të vizitave në shtëpi, jemi tek 400 në këto moment, ndërsa për Covid poshtë numrit 100. Më shumë vizitat në Tiranë, Fier, Vlorë, Shkodër”, tha Brataj.

/tvklan.al