Ekspertët: Problem sërish papunësia tek të rinjtë

Në periudhën Korrik-Shtator, kohë pas rihapjes së aktivitetit ekonomik, tregu i punës ka arritur të rikuperojë 34 mijë vende pune të humbura, pas 50 mijë të papunëve që krijoi karantinimi i ekonomisë.

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, niveli i papunësisë arriti në 11.6%, nga 11.9% që ishte në fund të Qershorit, por 0.2% më i lartë se një vit më parë.

Ekspertët e ekonomisë shohin shpresë te rritja e punësimit, por që të ketë dhëna më të qëndrueshme ata thonë se duhet të pritet fundi i vitit.

“Që të kemi një tendencë të saktë si po ecën tregu i punës duhet të kemi të dhëna të zhveshura nga efekti sezonal, por pa diskutim që tregu i punës pas karantinimit ka shfaqur një dinamikë në rritje dhe përmirësim, por kjo do të lidhet shumë edhe me pasiguritë që janë mes biznesit, nëse do të ketë një mbyllje tjetër.”

Industria dhe shërbimet kanë qenë motori i rritjes së vendeve të punës në këtë periudhë që përkon edhe me sezonin turistik, por ende mbeten 14 mijë e 600 vende të humbura pune, kryesisht tek mosha e re.

“Ka patur dinamikë rritëse te industria dhe te shërbimet, por sërish mbetet shqetësuese papunësia tek mosha e re.”

Sektori privat ka ulur në këtë periudhë pagat. Sipas të dhënave të INSTAT, pagat mesatare në biznese u ulën me 2 mijë e 2 qind lekë të rinj krahasuar me fundin e muajit qershor, ku rënien më të madhe e kanë aktivitetet financiare, teknologjia dhe industria. Nga ana tjetër pagat në sektorin publik u rritën mesatarisht me 1 mijë lekë të rinj.

Tv Klan