Sipas llogaritjeve të IGJEUM, përgjatë datës 23 deri 26 Janar 2021 priten reshje intensive të cilat do të jenë më të përqendruara në veri dhe në jug të territorit.

Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM, këto reshje do të sjellin rritje të prurjeve dhe niveleve në Lumenjtë Drin-Buna, Liqenin e Shkodrës dhe Lumin Vjosa. Në pjesët e sipërme të këtyre baseneve lumorë, mund të ketë vërshime të shpejta të përrenjve dhe lumenjve më të vegjël të shoqëruara edhe me rrëshqitje të dherave, kryesisht në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër.

Lumenjtë e tjerë do kenë rritje të prurjeve, por parashikohen me rrezik më të ulët nga përmbytjet.

“Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM sipas llogaritjeve më të fundit hidrologjike dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e rrezikut të përmbytjeve”, thuhet në një njoftim të IGJEUM.

Sot pasdite dhe nesër priten reshje intensive dhe lokalisht shumë intensive në qarqet Shkodër dhe Kukës të shoqëruara dhe me shtrëngata. Ndërsa në qarqet e tjera priten reshje të dobëta, por lokalisht mesatare në qarqet Dibër, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër.

Në veri të vendit, sot dhe nesër reshjet priten të jenë edhe në formë dëbore në lartësitë më të mëdha se 500 metra mbi nivelin e detit. Nesër temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë në bregdet: 10 / 14 °C; në vendet e ulëta: 8 / 15 °C; në vendet malore: 2 / 7 °C

Sot pasdite dhe nesër era pritet të fryjë e lehtë./tvklan.al