Athina: Pa tërhequr “Oruc Reisin” nuk ka dialog me Ankaranë

Rikthehen tensionet mes Greqisë dhe Turqisë pas vendimit të Ankarasë për të rikthyer në ujërat e Mesdheut Lindor anijen sondë “Oruc Reis” që kryen kërkime për hidrokarbure.

Zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Petsas, tha se Athina nuk do të marrë pjesë në dialogun me Ankaranë që synon gjetjen e një zgjidhje për mosmarrëveshjet mbi Zonat Ekskluzive Ekonomike në Mesdheun Lindor, për sa kohë anija sondë turke ndodhet atje në mënyrë të jashtëligjshme.

Ndërsa ministri turk i mbrojtjes, Hulusi Akar, bëri thirrje për nisjen e menjëherëshme të dialogut. Gjatë një fjalimi, Akar u bëri thirrje grekëve të mos venë në provë durimin e Turqisë, por të ulen për të gjetur zgjidhje me dialog konform parimeve të fqinjësisë së mirë, marrëveshjeve bilaterale e ligjeve ndërkombëtare.

Bashkimi Europian ka paralajmëruar sanksione ndaj Turqisë në samitin më të afërt, atë të Dhjetorit, nëse vazhdon me kërkimet për gaz dhe naftë në Mesdheun Lindor.

Tv Klan