Ditët e fundit të anticiklonit afrikan Lusiferr, kanë rikthyer zjarret në disa vende europiane.

54 vatra janë riaktivizuar në Greqi këtë të premte si pasojë e temperaturave të larta dhe erërat e forta.

Edhe në ishullin Kythira në Peloponez, vatrat e zjarrit vijojnë të jenë aktive. Po ashtu, flakët në Zakynthos, në Follorinë dhe Farsala janë nën kontroll.

Edhe në Portugali janë rikthyer zjarret. Të enjten, më shumë se 2,600 zjarrfikës luftuan 62 vatra zjarri që u rindezën në të gjithë vendin.

Kushtet e motit në Portugali do të jenë “veçanërisht të favorshme për zjarret” deri ditën e dielë, me erëra të forta dhe temperaturat deri në 39 gradë celsius.

Po ashtu, kushtet e thatësirës ekstreme po nxisin zjarret në bregdetin mesdhetar të Francës. Rreth 200 zjarrfikës të mbështetur nga gjashtë avionë po luftojnë me flakët në Port-de-Bouc në perëndim të Marsejës.

Pjesa tjetër e kontinentit europian, si Spanja, Gjermania dhe Polonia janë përfshirë nga stuhi ‘apokaliptike’ me reshje të dendura shiu që kanë shkaktuar edhe përmbytje.  TV KLAN