Leipzig-Liverpool dhe Barcelona-PSG ndezin mbrëmjen e sotme


Rikthehen emocionet e UEFA Champions League. Mbrëmjen e sotme do të luhen dy takimet e para të raundit të 1/8-ave të kompeticionit më të rëndësishëm për klubet në Europë. Të ndikuar edhe nga masat anti-Covid kjo fazë do të sjellë zhvendosje të vendit të ndeshjes, siç është ajo mes Lajpzig dhe Liverpool, programuar për tu luajtur në Budapest të Hungarisë.

Një duel që i gjen skuadrat në forma totalisht të ndryshme. Gjermanët u pozicionuan të dytët në grupin H dhe kanë fituar katër ndeshjet e fundit mes kampionatit dhe Kupës. Situatë totalisht e ndryshme te Liverpool. Të kuqtë janë në krizë dhe këtë e faktojnë 3 humbjet e fundit radhazi. Për këtë, trajneri Klopp e shikon përballjen me Lajpzig si sfidën për të kthyer faqen.

Spektakël dhe lumë golash premton dueli i “Kamp Nou” mes Barcelonës dhe Pari Së Zhërme. Mungesa e Nejmar nuk i zbeh aspak pritshmëritë, pasi në fushë do të zbresin yje si Messi e Griezmann në njërin krah dhe Mbappe e Icardi në krahun tjetër. Te francezët dhemb ende ajo disfatë e bujshme 6-1 në vitin 2017 dhe sot do të tentojnë hakmarrjen. Të dy takimet luhen duke nisur nga ora 21:00.

Klan News