Janë rreth 1500 të pagjetur, shumica e të cilëve shqiptarë

Gjetja e mbetjeve mortore në një lokacion në Serbi, që besohet se janë të personave të pagjetur gjatë luftës në Kosovë, ka zgjuar reagimin e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani. Në një status në Facebook, ajo ka shkruar se pranimi i fajit, kërkim falja dhe vendosja e drejtësisë janë tri parakushte për stabilitet dhe paqe me Serbinë.

Ajo është ndalur edhe te përplasja e deputetëve dje në Kuvendin e Kosovës pikërisht për çështjen e të pagjeturve.

“E vërteta prej së cilës nuk lodhemi kurrë. Mbi 13 mijë civilë janë vrarë nga Serbia në luftën e fundit në Kosovë shumë prej të cilëve ishin fëmijë. Secili qytetar nuk duhet të lodhet nga tregimi i së vërtetës”.

Një ditë më parë nga përplasja për çështjen e të pagjeturve karshi dialogut, ndërmjet shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së dhe deputetes së LVV-së Saranda Bogujevci, familja e së cilës është vrarë gjatë kohës së luftës në Kosovë nga forcat serbe ka bërë që të ndërpritet seanca për një kohë. Për këtë çështje u diskutua edhe sot në komisionin parlamentar për të drejtat e njeriut. U kërkua që çështja e të pagjeturve të mos politizohet.

“Tema e parë në Bruksel ka qenë tema e personave të pagjetur. Si asnjëherë më parë është marrë më me seriozitet”.

“Duhet ta gjejmë mënyrën se si që ne si komision parlamentar të kontribuojmë në këtë drejtim. Të krijojmë kontakte më të përafërta me institucione ndërkombëtare”.   

Edhe 20 vjet pas luftës ende rezultojnë mbi 1500 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë. 

Tv Klan