Varianti Delta nis të përhapet edhe në Australi

Përhapja e variantit Delta po rrezikon përpjekjet e shumë vendeve për të mbajtur të ulëta shifrat e infektimeve. Qeveria izraelite po rikthen kufizimet pas shtimit të rasteve të infektimeve, ditët e fundit. Nga kjo e Hënë, në Tel Aviv, maskat janë sërish të detyrueshme për t’u mbajtur në ambiente të brendshme.

Nëpër aeroporte po kryen teste për të mbajtur nën kontroll hyrjen e të infektuarve. Kryeministri Naftali Benet u bëri thirrje adoleshentëve të vaksinohen për të përshpejtuar ritmet drejt imunitetit të tufës në mbi 70%. Aktualisht mbi 61% e popullsisë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-Covid.

Mutacioni indian po përhapet edhe në Australi. Gjatë 4 ditëve të fundit, në Sindei janë regjistruar 128 infektime me këtë variant dhe kjo i detyroi autoritetet të rikthenin masat bllokuese. Raste të dyshuara ka thuajse në të gjithë vendin, një situatë që ka vënë në alarm autoritetet vendase.

Krahas shifrave të larta të infektimeve, Rusia po përballet edhe me shtim të vdekjeve nga Covid-19 ditët e fundit, duke arritur nivele rekord. Pas rekordeve të fundjavës, si në Rusi ashtu edhe në Britani të Madhe, 24 orëshi i fundit shënoi reduktim të lehtë të shifrave të infektimeve. Ndërsa në Itali, nga kjo e Hënë, maskat në ambiente të jashtme nuk janë më të detyrueshme.

Tv Klan