Ky filmim tregon momentet kur rikthimi i energjisë elektrike në Madrid pritet me brohoritje nga banorët e kryeqytetit të Spanjës, ku mbrëmja e të hënës solli errësirë të plotë, diçka e pazakontë për gjeneratat e fundit.

Gjatë natës dhe në orët e para të kësaj të marte, energjia elektrike u rikthye në 99% të zonave të banuara në Spanjë e Portugali. Transporti publik dhe qarkullimi rrugor iu rikthye normalitetit këtë të martë.

Gjykata e Lartë Penale në Spanjë nisi një hetim për sabotim mbi këtë incident të rëndë. Edhe Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez deklaroi se qeveria ka nisur një hetim të pavarur për defektin e ndodhur nga një komision i posaçëm.

“Qytetarët duhet ta kenë të qartë se qeveria do ta hetoje këtë çështje deri në fund. Ne do të marrim masat e nevojshme për t’u siguruar që kjo të mos ndodhë përsëri dhe do t’i mbajmë përgjegjës të gjithë operatorët privatë”, tha Sanchez.

Portugalia ka hedhur poshtë mundësinë e një sulmi kibernetik, por kryeministri spanjoll ka kërkuar që të pritet përfundimi i hetimeve të nisura. Edhe Komisioni Evropian bëri të ditur se do të hetojë mbi këtë “blackout” të energjisë duke e përshkruar si ngjarjen më të rëndë në këto dekada.

Tv Klan