Festivali i Resë rikthehet për të tretin vit në Tiranë. 214 artistë nga 18 shtete të botës do të jenë të pranishëm në këtë festival dhe do të performojnë në ambientet para Galerisë së Arteve, tek instalacioni i Resë. Ditën e sotme në këtë festival do të performojnë për herë të parë grupi shqiptar Saz`iso, i cili po korr sukses në skena të ndryshme në botë.

Ky grup ka mahnitur shumë të huaj madje edhe BBC i ka kushtuar një vëmendje duke i pasur të ftuar në një prej programeve më të famshme “Later with Jools Holland”. Për të folur për festivalin, por edhe për grupin muzikor Saz`iso ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan Edit Pula, Drejtore Artistike e Festivalit të Resë si dhe një nga krijueset e Saz`Iso.

“Përtej festivalit tek Reja zhvillohen aktivitete të ndryshme dhe janë pa pagesë, këtë fokus ka Reja në vetvete. Ky festival është kulminacioni. Është edicioni i tretë i këtij festivali, e nisëm 7 ditë fillimisht, më pas 10 ditë dhe këtë vit e kemi 15 ditë. Do të jenë tre performanca në ditë dhe kemi disa shtete që përfaqësohen. Promovimi i muzikës popullore tradicionale shqiptare është një mision që kam prej vitesh dhe e kam nisur këtë proces që kur jam kthyer nga Anglia. Grupi Saz`iso është krijuar prej 2 vitesh dhe kanë koncerte në gjithë botën”, tha Edit Pula./tvklan.al