Në javën e 27 Partizani do të luajë në Durrës ndaj Teutës, Tirana përballet me Erzenin

Kampionati shqiptar do të rikthehet në fundjavë me sfida emocionuese, ku do të luhet java e 27 e Superiores. Partizani kryesues do të përballet  në “Niko Dovana” kundër Teutës në orën 18:00 të së shtunës.

“Të kuqtë” vijnë pas fitores 4-1 ndaj Kastriotit dhe nuk lejohen hapa falsë, me Tiranën që ka pikë të barabarta me rivalët kryeqytetas.

Durrsakët kanë barazuar në tri takimet e fundit e kanë nevojë për pikë për t’u larguar nga zona e ftohtë, ndërsa gjenden në kuotën e 34 pikëve në vend të shtatë.

Ndërsa 24 orë më pas, Tirana do të presë Erzenin në “Elbasan Arena”. Bardheblutë vijnë pas barazimit me Ballshin në transfertë, kurse shijakasit u ndalën nga Kukësi.

Erzeni gjendet në vend të katërt në kuotën e 37 pikëve në renditje. Sfidë tjetër e së shtunës do të jetë ajo midis Kukësit dhe Egnatias e vendit të tretë. Verilindorët kanë 3 pikë më pak se sa rrogozhinasit.

Ndërsa Vllaznia do të presë në stadiumi “Loro Boriçi” Bylisin. Shkodranët kanë si objektiv që t’i afrohen kreut, ndërsa ballshiotët duan pikë pasi gjenden në vend të parafundit.

Sfida tjetër e së dielës është ajo midis Kastriotit dhe Laçit.

Klan News