Dinamo kundër Egnatias, shpreson tek mrekullia

Pas disa ditësh pushimi Tirana rikthehet në kampionat me sfidën kundër Kukësit të vendit të tretë, por gjithsesi për bardheblutë do të jetë një tjetër provë. Kësaj radhe jo vetëm me veriorët, por edhe me veten.

“I kemi fatet tona në dorë, pavarësisht se kemi distancë nga kundërshtari ynë më i afërt. Kemi objektivat tona, kemi dhe lojtarë që kanë objektiva personale dhe kolektive dhe kur ndërthuren të dyja së bashku janë akoma edhe më mirë. Me këtë distancë të konsiderueshme që kemi, rivali ynë i vetëm jemi ne. Në këtë moment që jemi, motivimi është shumë i rëndësishëm”, tha Orges Shehi.

Dinamo po përpiqet të kacavirret në vendin e 8 të renditjes ku gjendet Egnatia. Rrogozhinasit do të përpiqen të mos lëshojnë asnjë pikë.

“Kemi ende 10 ndeshje përpara dhe 30 pikë në dispozicion. Duhet të luajmë 10 finale, sepse nëse fitojmë nesër dhe humbasim duelin e ardhshëm jemi sërish në vendnumëro. Na duhet vazhdimësi”, tha Rodolfo Vanoli, trajner i Dinamos.

Në ndeshjet e tjera të javës Teuta përballet me Skënderbeu, Partizani me Laçin ndërsa Vllaznia me Kastriotin.

Tv Klan