Ushtria del në rrugë, 1 mijë dollarë gjobë për shkelësit

Këto pamje të xhiruara në Melburn risjellin në kujtesë qytetet fantazmë, të cilat u boshatisën gjatë periudhës së karantinës kundër Covid-19 të vendosur në muajt Mars – Prill në pjesën më të madhe të globit.

Karantina është rikthyer në qytetin e dytë më të populluar të Australisë, pas shtimit të ndjeshëm të rasteve të infektimeve ditore. Vetëm këtë të martë u regjistruan 439 raste të reja infektimesh në qytetin me 5 milionë banorë. Nisur nga kjo situatë, qeveria vendosi të mbyllë sërish dyqanet, fabrikat e të gjithë bizneset jo-thelbësore. Qytetarëve u është kërkuar të punojnë nga shtëpitë, në çdo rast të mundshëm. Dalja e tyre nuk lejohet, veçse për arsye shëndetësore, dhënie të ndihmës shëndetësore ose për punë.

Është rivendosur shtetrrethimi prej orës 8 të mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit. Për këdo që thyen rregullat, parashikohet gjobë prej rreth 1 mijë dollarësh. Qeveria vendosi nxjerrjen në rrugë të ushtrisë për të garantuar zbatimin e masave.

Rajoni i Viktorias numëron më shumë se gjysmën prej më shumë se 18 mijë rasteve të të prekurve në total në Australi. Mes tyre numërohen 232 viktima.

Tv Klan