Rikthehet moti i keq në Itali. Pjesa verilindore e vendit është përfshirë nga reshje e shtrëngata shiu. Në Liguria është shpallur gjendja e emergjencës dhe pjesa më e madhe e shkollave dhe portet janë mbyllur. Autoritetet në Milano janë vënë në gatishmëri për shkak se lumenjtë rrezikojnë që të dalin nga shtrati.

Erërat e forta që i kalonin 70 kilometra në orë si dhe reshjet e dendura të shiut kanë pushtuar edhe rajonet perëndimore. Autoritetet iu kanë bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes.

Në Genoa disa fluturime u anuluan për shkak të mjegullës dhe erës së fortë. Në zona të tjera të Italisë si në Lombardi, Piemonte por dhe në Sardenjë e Lazio është ndezur alarmi portokalli .

Departamenti italian i Mbrojtjes Civile paralajmëroi se reshjet e shiut si dhe erërat e forta do godasin edhe zonat jugore dhe qendrore të Italisë. Sipas meteorologëve, moti do të përkeqësohet gjatë orëve në vijim.

Klan Plus